Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka vlerësuar se gabimi më i madh politik i Perëndimit ishte vendimi për dërgimin e tankeve në Ukrainë, “veçanërisht tankeve gjermane”.

Sipas tij, me këtë vendim, Perëndimi e bashkoi popullin rus si askush më herët në qëndrimin e tyre ndaj luftës në Ukrainë, shkruan REL.

Kështu tha Vuçiq gjatë seancës së 3 shkurtit në Kuvendin e Serbisë, ku pritet të miratohet raporti i Qeverisë serbe lidhur me dialogun me Kosovën.

Më 25 janar, qeveria gjermane iu përgjigj thirrjeve të përsëritura të Kievit dhe miratoi dërgimin e tankeve Leopard 2 në Ukrainë, si dhe rieksportin e tyre nga vendet partnere.

Në të njëjtën ditë, presidenti amerikan, Joe Biden, njoftoi se SHBA-ja do t’i dërgojë 31 tanke luftarake M1 Abrams në Ukrainë.

Gjatë seancës, Vuçiç tha gjithashtu se e respekton Rusinë, por nuk i shërben asaj.

“Unë e respektoj Rusinë, por nuk i shërbej Rusisë, i shërbej Serbisë”, tha Vuçiç.