Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri në seancën e sotme ka thënë se kryeministri Kurti po e drejton qeverinë për të themeluar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Sipas tij, Kurti po koordinohet mirë me presidentin serb Vuçiq ku të dytë në të njëjtën ditë po raportojnë në Kuvend për qëndrimet e tyre për Asociacionin.
“Kryeministër është e rëndësishme që të bëni ndryshim radikal në diskursin tënd për drejtimin e vendit tonë. Kjo ditë e shënon një momentum të rëndësishëm. Ju me 9 shtator keni pranuar draftin dhe deri sot nuk e keni paraqitur në kuvend për ta diskutuar. Këtu në kuvend votohet çdo projektligj, edhe Asociacioni, prandaj duhet të jeni më transparentë”, ka deklaruar Tahiri.
11:34 – Abdixhiku përplaset me Kurtin për asociacionin, e akuzon për manipulim
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka pasur një përplasje me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të cilit i tha se fjalimi i tij, lë të kuptojë se asociacioni po themelohet.
Në seancën e sotme plenare, kryeministri Kurti i replikoi Abdixhikut, duke i thënë se e ka deformuar fjalimin e tij duke reduktuar pikat e marrëveshjes së asociacionit, transmeton klankosova.tv.
”Nuk e thash një kusht, por i thash gjashtë. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën”.
”Duhet të ketë reciprocitet të të drejtave. Çfarëdo të drejta të ketë për serbët në Kosovë, të ketë edhe për shqiptarët në Serbi, meqenëse më shumë shqiptarë ka në Serbi”.
”Asociacioni mund të jetë pjesë e marrëveshjes finale, vetëm pas njohjes reciproke të zbatohet”.
”Unë e kundërshtoj deformimin e deputetit Abdixhiku, që e reduktoi marrëveshjen nga gjashtë në një”.
Teksa prapë në foltore del Abdixhiku i LDK-së, duke e akuzuar kryeministrin Kurti për manipulim të qytetarëve, transmeton klankosova.tv.
”Pra, e dëgjuat edhe një herë kryeministrin. Foli tre minuta por nuk e mohoi se asociacioni po bëhet”.
”Këto gjashtë kushte që po i flet, i përcakton Kushtetuta e Kosovës. Kjo është manipulim”.
11:29 – Kurti tregon kushtet për ta pranuar Asociacionin
Kryeministri Albin Kurti ka treguar në Kuvend rrethanat në të cilat do të zbatohej Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Pikat që i tha Kurti janë si vijon:
Asociacioni të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv, duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave, sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale, kreu 5.
Të drejtat e pakicave kombëtare duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive, si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.
Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri të shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së në raportet e saj ndërshetërore me Republikën e Kosovës.
Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara në pesë shtetet e BE-se për mospranimin e aplikimit të Kosovës në BE.
Kurti tha se në të gjitha takimet e deritanishme ka potencuar përkushtimin e Kosovës që sa më shpejt të arrihet dakordimin final rreth propozimit franko-gjerman.
“Këtë propozim e shohim si bazë të mirë për më tutje dhe jemi të interesuar që të nënshkruhet nga palët dhe të finalizohet. Kërkojmë nga Borrelli që sa më parë të na ftojë në takime të rregullta e të shpeshta”, tha Kurti në foltoren e Kuvendit.
Ai tha se pika e 10-të e propozimit për marrëveshje bazë, i dedikohet zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani, dhe në kuadër të këtij neni, do të trajtohen të gjitha marrëveshjet, përfshirë edhe ajo e 19 prillit 2013, Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, njofton Klankosova.tv.
“Çfarëdo tentative që nenet të bëhen parakushte për ecje përpara, janë sa më të pakuptimta aq edhe joproduktive. Normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë me njohje në qendër, duhet të garantojë edhe të drejtat e komuniteteve pakicë. Shteti normal demokratik nuk i diskriminon pakicat, por i mbron ato si vlerë themelore e i ruan ato si vlerë shoqërore”, u shpreh kryeministri. /Klankosova.tv
11:09 – Opozita kërkon ndryshimin e vlerës së koeficientit të pagës
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, gjatë seancës së sotme plenare në Kuvendin e Kosovës deklaroi se vlera e koeficientit të pagës duhet të jetë minimum 120 euro. Ai po ashtu shtoi se qeveria goditi qytetarët me, siç tha, 90 përqind rritje të tatimit në pronën e paluajtshme.
“E paarsyeshme është goditja që i bëhet sektorit të sigurisë. Stimulon të rinjtë që ta lënë Kosovën. Ne si grup parlamentar i PDK-së propozojmë qe vlera e koeficientit të jetë minimum 120 euro”, u shpreh Shala.
Shqetësim për koeficientin shprehu edhe Hykmete Bajrami e LDK-së. Gjatë fjalimit të saj para deputetëve ajo tha se qeveria doli me statistika jo të sinqerta dhe se me pagën e shkurtit qytetarët do ta shohin si qëndron e vërteta.
“Me këtë koeficient nuk kemi rritje reale të pagave. Propozojmë që koeficienti i pagave të jetë 125 euro”, deklaroi Bajrami.
10:58 – Seanca plenare e kuvendit
Tashmë ka nisur seanca plenare e Kuvendit të Kosovës.
Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, Kuvendi do të zhvillojë raundin e dytë të votimit për zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për të vijuar me votimin në parim të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive.
Po ashtu pritet të votohen edhe katër raporte: raporti vjetor i Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2021, raporti vjetor i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2021, raporti me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për mbikëqyrjen elektronike të personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës, si dhe raporti me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për noterinë. Do të votohet gjithashtu edhe për rekomandimet e dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës për vitin 2021.
Seanca e Kuvendit do të vijojë me shqyrtimin e Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për masat emergjente në furnizimin e energjisë, me nr.17/121 datë 25.01.2023, si dhe shqyrtimin e rekomandimit të Komisionit për Ekonomi, Tregti dhe Industri për shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).
Pjesë e rendit të ditës së kësaj seance do të jetë edhe shqyrtimi i raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2020.
Në shqyrtim të dytë pritet të shqyrtohet Projektligji për tubime publike dhe ai për sigurinë kibernetike, ndërsa në shqyrtim të parë katër projektligje të tjera: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për energjinë, Projektligji për kinematografinë, Projektligji për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës, si dhe Projektligji për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse.
Më tej, deputetët do të shqyrtojnë raportin vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2021, raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2021, raportin vjetor të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2021, si dhe atë për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2021.
Seanca pritet të përfundojë më shqyrtimin e rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit të performancës “Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare”, si dhe formimin e Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti serb.