Merxhan Jakupi
Në fund të shekullit 20, shpërbërja e Perandorisë Sovjetike ndodhi në mënyrë të papritur. Komunizmi, atje ku lindi, atje dhe në fund, u shemb, si kullë prej kartoni. Sipas studiuesve, shembja e komunizmit parashihej të ndodhë në shekullin 21. Në vitet e ’60-ta të shekullit të kaluar, Perandoria Sovjetike arriti zenitin dhe ishte në piedestal. Ekspansioni dhe vrulli komunist nuk kishte të ndalur. Bashkimi Sovjetik furnizonte me armë dhe jepte ndihmë ekonomike në Kubë, Vietnam, Etiopi, Angolë dhe në disa shtete të tjera të Lindjes së Mesme. Fitorja e komunizmit dukej si një epope e pakthyeshme në botë. Në shumë shtete të Amerikën Latine, Afrikë dhe në të ashtuquajturën Botë e Tretë, me ndihmën e Moskës, forcat e majta marksiste nëpërmjet revolucionarëve dhe luftës guerile, tentonin t’i rrëzonin regjimet militariste, diktatoriale e populiste të së djathtës. Por SHBA, duke parë rrezikun e ekspansionit komunist i ndihmonte regjimet militariste me armë dhe financa.
NGRITJA DHE RËNIA RUSE
Vullneti dhe entuziazmi për liri dhe demokraci në këtë shtet ishte tepër i madh. Nga një diktaturë e djathtë militariste kishte kaluar në një diktaturë të majtë komuniste. Këto shtete dhe popuj, edhe pas rrëzimit të diktaturave dhe juntës militariste, mbeteshin prapë të robëruar, duke ndryshuar padronët. Kështu ndodhi në Kubë, shkoi Batista erdhi diktatori Fidel Kastro. Gjuha e bujshme, propaganda, superioriteti dhe impakti politik i udhëheqësve sovjetikë vazhdoi deri në fund të shekullit 20. Sistemi kapitalist do të përmbyset nën trysninë dhe revoltën e klasës punëtore dhe forcat e diktaturës së proletariatit. Kauza e udhëheqësve dhe elitës së Kremlinit ishte se deri në fund të shek. 20, Bashkimi Sovjetik do ta tejkalojnë SHBA-në.
Në fund të viteve të ’70-ta, kur trupat sovjetike pushtuan Afganistanin, pozita ndërkombëtare e Bashkimit Sovjetik dukej se kishte arritur pikën më të lartë. Ekspansioni dhe vrulli komunist nuk kishte të ndalur, por brenda një dekade u shpërfaqën simptomat e para të kalbjes së Perandorisë së Kuqe komuniste. Henry Kissinger shkruan se asnjë perandori për gjatë gjithë epokave nuk ishte shpërbërë në një periudhë kaq të shkurtër, siç u shpërbë Bashkimi Sovjetik, së bashku me Kampin komunist.
Sipas disa analistëve politikë, Perandoria Sovjetike lindi nga lufta civile, ku qeverisnin bolshevikët, me një diktaturë tmerrësisht shtypës. Gabimi fatal i udhëheqësve të Kremlinit ishte nënvlerësimi dhe mosrespektimi i armikut. Rënia e vazhdueshme, recesioni ekonomik, varfëria e çuan në një kolaps të Perandorisë Sovjetike fill pas pushtimit të Afganistanit. Sipas një barsolete në 100-vjetorin e vdekjes së Marksit, një burrë që imitonte Marksin në skenë, para shumë spektatorëve, me një sens humori dhe ironie kishte thënë se “Proletarë të të gjitha vendeve, më falni!”, ndërsa në një gazetë polake ishte ekspozuar një karikaturë e Marksit, duke ikur nga Lindja komuniste, bashkë me proletarët, në Perëndim.
FETISHIZMI I PUTINIT
Pas shpërbërjes së 15 republikave sovjetike në periudhën e post-Gorbaçovit, Federata Ruse me presidentin e parë dekadent e pijanec, Boris Jelcin, ishte në kaos dhe anarki. Kur erdhi Putini, si president i ri, ai ishte pjellë e epokës së perandorisë. Origjina biologjie e filozofisë së Putinit ishte vazhdimësia dhe epërsia e Perandorisë ruse që kishte filluar nga Car Ivani i tërbuar dhe i marrë deri te arritja e lavdisë së Petrit të Madh. Falë aftësive të Putinit për t’u ngjitur në pushtet, pavarësisht nga politika e brendshme konservatore, në dekadën e parë ai filloi me reforma, duke ngritur karrierën e vet në piedestal. Putini nuk u mbështet në parimet, vlerat liberale evropiane, sikur ish-shtetet e tjera të kampit komunist. Ai filloi të ngrejë një sistem etatist, autokrat dhe centralist, por edhe duke u hapur nga Perëndimi. Në dekadën e dytë, Putini ishte i preokupuar me rikthimin e një Rusie të madhe. Sipas një këshilltari të Putinit, i cili më vonë doli në ekzil, kur Ukraina u kthye me kokë nga Perëndimi, Rusia kishte humbur njërin sy. Pas aneksimit të dy provincave, atë të Gjeorgjisë dhe të Moldavisë, që ishin me enklava ruse, Putin duke e parë se Perëndimi ishte gjithnjë e më inferior, aneksoi Krimenë, por ideja opsesive i mbeti pushtimi i Ukrainës. Iluzioni i tij ishte që atë vend ta pushtojë me një “blic krig”, që doli se kishte gabuar në mbivlerësimin e forcave të veta ushtarake. Putin nuk mori parasysh se lufta në Ukrainë është edhe kundër vlerave të demokracisë evropiane, ndaj dhe mbeti i zhgënjyer. Sipas analistëve dhe ekspertëve, ekzistojnë dy opsione: ose të vazhdojë luftën deri në fund ose të tërhiqet. Tërheqja e Putinit do të ishte fundi i tij.
Historia e Rusisë ka pasur një apologji të shkëlqyer gjatë luftërave ndër shekuj, ka thënë Dostojevski. Sikur gjithë ushtritë e huaja të pushtonin Rusinë, cari mbetej sovran i popullit. Napolon Bonaparti, pas pushtimit të të gjithë shteteve të Evropës, në fund humbi në luftë kundër Rusisë. Winston Churchill shkruan në memoaret e tij për takimin me Stalinin në vilën Daçen, në periferi të Moskës. Ishte nata kur mori lajmin se trupat naziste të Hitlerit kishin hyrë në territorin e Bashkimit Sovjetik. Nikoqiri i kishte thënë Churchillit se ai bir kurve (Hitleri) do të pësojë disfatën e Napolon Bonapartit. Një analist ushtarak perëndimor shkruan se çdo herë kur Rusia ka qenë e pushtuar nga ushtritë e huaja, ajo e ka fituar luftën. Por, këtë radhë, Rusia është agresore ndaj një shteti fqinj dhe si e tillë do ta humb luftën.