Incidenti në kufirin mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, kur një polic malazez keqtrajton një shtetas shqiptar ka shkaktuar reagime të shumta në Shqipëri e Mal të Zi. Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se videot, i ka parë që nga data 15 janar, prej kur edhe “janë ndërmarrë masa”. Ai tha se ka edhe një anë tjetër të medaljes”, pasi, siç tha, në video nuk shihet se veprimeve të policisë u ka paraprirë një kundërvajtje në komunikacion. Policia malazeze tha se pamjet e “keqtrajtimit të një shtetasi shqiptar”, të publikuara më 21 shkurt, i referohen një ngjarjeje të 15 janarit në pikën kufitare të Sukobinës. Policia tha se po heton punonjësit e saj në lidhje me incidentin. Incidenti nxiti reagime të furishme në Mal të Zi, sidomos nga partitë shqiptare. Alternativa Shqiptare, partia e kryetarit të Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, dënoi ashpër incidentin. Sipas tyre, shënjestër ishte Petraq Milo, profesor universitar. Milo nga viti 2005 deri më 2013 ka qenë këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë për financat publike dhe politikat monetare. Po ashtu më 2019, ai ishte emëruar këshilltar ekonomik i presidentit të Shqipërisë. Qeveria shqiptare dhe ajo malazeze do të mbajnë një mbledhje të përbashkët të hënën, më 27 shkurt.
“Ashtu se si afrohemi 19 marsit prisni shumë incizime, grafitë, nacionalizma, tensione, tentim për të krijuar atmosferë të keqe lidhur me shqiptarët, boshnjakët, pakicave kjo është mënyra se si punon ndokush. Kur bëhet fjalë për këtë ngjarje e kam parë këtë incizim më 15 janar dhe që atëherë kemi marrë masa. Nuk mund që polic që ka probleme të caktuara të jetë pjesë e shërbimeve dhe kjo në kontinuitet do të zgjidhet. Kjo është njëra anë, pjesa tjetër e medaljes se qytetarët shohin vetëm incizimin e shkurtër. Vetëm pak të mendojnë në mënyrë racionale se askush nuk e ka targetuar ndokënd që qëllimisht dhe fillon ta nxjerrë nga veturë, por paraprakisht ka ekzistuar ndonjë shkelje për çka iu afrohen policët, pasi aty ishin 100 vetura. Aty kishim situatë të mos respektimit të rregullat elementare në komunikacionit dhe kolonat që ishin aty”, u shpreh Dritan Abazoviq, Kryeministër i Malit të Zi.