PSG-ja dhe Barcelona në garë për transferimin e Silvas

Paris Saint-Germaini dhe Barcelona raportohet se janë në garë për transferimin e Bernardo Silvas.

Mesfushori portugez ishte i lidhur me një kalim në “Camp Nou” edhe në verën e vitit të kaluar, por u tha se ishte Pep Guardiola ai që “bllokoi” largimin e tij.

Sidoqoftë, Barcelona duket se nuk ka hequr dorë nga Silva dhe do të tentojë transferimin e tij edhe në afatin kalimtar të verës së këtij viti.
Por, sipas “Le10Sport”, për mesfushorin e Manchester Cityt garës i është bashkuar edhe PSG-ja.

28-vjeçari thuhet se është shndërruar në një objektiv të parisienëve.

Në anën tjetër, ish-mesfushori i Monacos besohet se është i hapur për t’u larguar nga “Etihad Stadium” pas përfundimit të këtij sezoni, teksa mbetet të shihet se cili do të jetë destinacioni i tij i radhës.

Bernardo Silva me Manchester Ciyn ka kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2025.