Protesta/ Policia me plan masash. Në terren rreth 1000 efektivë, ja rrugët që bllokohen

TIRANË – Policia e Tiranës ka përcaktuar planin e masave për protestën e thirrur sot nga opozita, në orën 12:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Rreth 1 mijë efektivë policie, forca të rendit, FNSH-së dhe RENEA do të jenë të angazhuar në terren për mbarëvajtjen e tubimit.

Policia njofton se duke filluar nga ora 06:00 e së shtunës, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve, në rrugët që lidhen me bulevardin Dëshmorët e Kombitt, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Në këto rrugë, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve, nga ora 10:00 e deri në përfundim të tubimit. Si në protestat e tjera, edhe këtë herë do të krijohet kordoni me efektivë policie para godinës së Kryeministrisë dhe rreth saj. Në terren do të ketë edhe agjentë civilë, për të monitoruar mbarëvajtjen e tubimit.

Përgjatë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ të instaluara janë edhe kamera me rezolucion të lartë, ndërsa shtyllat ku ato janë vendosur, lyhen me graso për të mos lejuar protestuesit të heqin kamerat.

Pak ditë më parë, përmes një shkrese dërguar Policisë së Tiranës, selia blu vuri në djeni forcat e rendit për protestën e organizuar prej tyre. Ajo që bie në sy, në shkresën e firmosur nga sekretari organizativ, i grupit Berisha, Ervin Minarolli, specifikohej vetëm ora e nisjes dhe jo përfundimi i tubimit. Për këtë arsye, policia ia ktheu sërish pas letrën organizatorëve, për plotësim të saj, si me vendosjen e orarit të nisjes dhe përfundimit të tubimit.

Ora 10:00 Policia rrethon kryeministrinë

Dy orë nga protesta e paralajmëruar e opozitës në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, forca të shumta policie kanë rrethuar godinën qeveritare në kuadër të planit të masave për mbarëvajtjen e saj. Po ashtu, hyrja e godinës është veshur me veshje metalike.