LIVE protesta/ Berisha e Meta bashkohen në shesh, protesta nis me himnin kombëtar

TIRANË –Opozita e Sali Berishës ka zbritur sot në shesh. Ish-kryeministri njoftoi protestën pas arrestimit të ish zyrtarit të FBI, Charles McGonigal, ndërsa demokratët akuzuan kreun e qeverisë si të përfshirë në afera korruptive me të për asgjësimin e opozitës. Protestës pritet t’i bashkohet edhe aleati i Sali Berishës në opozitës Ilir Meta, i cili pas fotos së publikuar në media ku shfaqej me personin A në dosje, Agron Nezën, vendosi të ndërrojë tezat për protestën.

Sakaq, policia e Tiranës ka përcaktuar planin e masave për protestën e thirrur sot nga opozita, në orën 12:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Rreth 1 mijë efektivë policie, forca të rendit, FNSH-së dhe RENEA do të jenë të angazhuar në terren për mbarëvajtjen e tubimit.

Policia njofton se duke filluar nga ora 06:00 e së shtunës, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve, në rrugët që lidhen me bulevardin Dëshmorët e Kombitt, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Abc News Live

Në këto rrugë, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve, nga ora 10:00 e deri në përfundim të tubimit. Si në protestat e tjera, edhe këtë herë do të krijohet kordoni me efektivë policie para godinës së Kryeministrisë dhe rreth saj. Në terren do të ketë edhe agjentë civilë, për të monitoruar mbarëvajtjen e tubimit.

Përgjatë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ të instaluara janë edhe kamera me rezolucion të lartë, ndërsa shtyllat ku ato janë vendosur, lyhen me graso për të mos lejuar protestuesit të heqin kamerat.

Pak ditë më parë, përmes një shkrese dërguar Policisë së Tiranës, selia blu vuri në djeni forcat e rendit për protestën e organizuar prej tyre. Ajo që bie në sy, në shkresën e firmosur nga sekretari organizativ, i grupit Berisha, Ervin Minarolli, specifikohej vetëm ora e nisjes dhe jo përfundimi i tubimit. Për këtë arsye, policia ia ktheu sërish pas letrën organizatorëve, për plotësim të saj, si me vendosjen e orarit të nisjes dhe përfundimit të tubimit.

Ora 12:36 Këlliçi: Shqipëria sot e derdhur në shesh. Maxhoranca kërkon të kthejë 14 majin në ditë e zakonshme dhe jo ditë shprese

Pas himnit kombëtar, protesta u cel nga kandidati i Rithemelimit për bashkinë e Tiranës, Belind Këllici. “Shqipëria është e derdhur sot në shesh. Tirana sot është më e gjallë me ardhjen tuaj. Kemi miq nga e gjithë Shqipëria.

Tirana na ka mbledhur të gjithëve, këtu është strumbullari nga kjo godinë këtu, me para që iu vodhën shqiptarëve. I jepen agjentëve të huaj, që 14 maji të jetë një ditë e zakonshme dhe jo ditë shprese. Paguajnë se kanë frikë nga 14 maji. Marrëveshjet që bëjnë janë të paligjshme. Ku është kryeministri, kush e ka parë.” – u shpreh Këllici.

Ora 12:34 – Në shesh apo në çadër? Meta: Ky është një fillim pa kthim, apeli për policinë

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka dalë nga selia e tij pak minuta pasi Sali Berisha doli nga “selia blu”. Të ndarë të dy janë nisur drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku edhe janë grumbulluar qytetarët. Kreu i PL, në një prononcim të shkurtër për mediat, tha se ky është një fillim pa kthim dhe se ndryshimi do të ndodhë me çdo çmim.

Ora 12:23 – Berisha lë selinë e PD, do bashkohet me Metën në shesh

Të ndarë secili nga selitë përkatëse që drejtojnë, por të koordinuar në orar Sali Berisha dhe Ilir Meta iu drejtuan bulevardit Dëshmorët e Kombit, ku kanë thirrur shqiptarët në protestë.

Ora 12:16 – Protesta e PD/ Berisha përjashtoi Bashën dhe Alibeajn, 3 deputetët e tjerë që i bënë “dalje” tubimit të sotëm

Opozita e drejtuar nga ish-kryeministri, Sali Berisha, po mban sot një protestë kombëtare. E taksa pritet që kreu i “Rithemelimit” te dalë nga “selia blu”, disa deputetë të grupit të Alibeajt kanë konfirmuar mospjesëmarrjen. Kjo ka ardhur pasi Berisha vendosi të përjashtoi nga kjo protestë, Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn.

Për disa deputetë me peshë të grupit të Alibeajt, kjo është diçka e papranueshme, pasi protesta është e gjithë demokratëve dhe asnjë prej tyre nuk duhet të përjashtohet.

Ora 10:35 – ‘Shmangni tubimin’/ Ambasada amerikane paralajmëron shtetasit e saj në Tiranë

Ashtu si në cdo protestë e tubim në Tiranë, edhe sot ambasada amerikane paralajmëron shtetasit e saj për kujdes. Në një njoftimin e saj në faqen zyrtare ambasada amerikanë në Tiranë, apelon shtetasit e saj të shmangin tubimin.

Ora 10:20 – Berisha mbërrin në selinë e PD

Ish kryeministri Berisha ka mbërritur në selinë e PD, rreth orës 10:15 minuta. Ai është pritur nga simpatizantët në oborrin e selisë, ndërsa nuk ka ndaluar Berisha ngjiti shkallët dhe hyri në selinë, për të dhënë mesa duket direktivat e fundit për protestën e cila mbahet në 12:00 në sheshin përpara kryeministrisë.

Ora 10:00 Policia rrethon kryeministrinë

Dy orë nga protesta e paralajmëruar e opozitës në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, forca të shumta policie kanë rrethuar godinën qeveritare në kuadër të planit të masave për mbarëvajtjen e saj.

Po ashtu, hyrja e godinës është veshur me veshje metalike.