Letër Bashkimt Hasanit, “Askush nuk ka fajë që babai juaj është kundër teje”

Rami Mislimi – TetovaSot & TS

Nëse je i kapur, nuk janë të gjithë të kapur, nëse je i shitur, nuk janë të gjithë të shitur, nëse të kontrollojnë nuk do të thotë se edhe të tjerët i kontrollojnë.

Ke rolin  e zëvendësministrit në Qeverinë aktuale dhe rreshtohesh kundër vetes, pavarësisht se babai i juaj  është në rrugën e duhur, në rrugën e brezave pas, në rrugën e BE-së, nuk kanë faj mediat.  Ky është rasti më unik në botë Bashkim, ke  funksion të lartë në një qeveri pro evropiane në vend që të japësh  llogari për punën e tuaj dhe sidomos në dikasterin  tuaj,  ti  del kundër vizionit të babait tënd dhe thuash se ata që shkruajnë për këtë rast unik janë media të “kontrolluara”.

Nëse mediat janë të “kontrolluara”, a e ka pyetur ndonjëherë veten Bashkim a je i lirë ti vet? A e ka pyetur ndonjëherë veten se nën ombrellën e kujt je?,   nga kush je kaq i zaptuar që në vend se të raportosh  për punën tuaj që ke funksion me  aminin e Ali Ahmetit,  e tash del kundër tij dhe babait tënd, dhe nga ajo rrugë pa kthim dërgon mesazhe se mediat që shkruajnë për ty janë të kontrolluara, madje edhe se si duhet të jenë dhe çka të raportojnë mediat.

Shqiptarët e Gostivarit madje edhe ata që e votuan “shefin” tënd në vitin 2020  e panë  prezencën e babait tuaj  në tubimet e Ali Ahmetit dhe  Artan Grubit, në tubimin e frontit pro evropian, në frontin për një jetë më të mirë për nipat e tij,  ndërsa  ti merresh se mediat po kontrollohen që shkruajnë pse babai juaj ka marrë pjesë në tubimin e Ali Ahmetit e jo në tubimin e djalit të tij.

Ti humbe në zgjedhjet e fundit bashkë me atë që të “kontrollon” dhe nga humbja e madhe, Ali Ahmeti të shpërbleu duke i mbyllur sytë  e duke pranuar goditje nga bashkëpariakët e tu se pse shpërblehesh pas humbjeve serike në Gostivar bashkë me “shefin” tënd.

Nafiu pra, babai juaj është më vizionar se ti dhe ai është rreshtuar në rrugën e duhur dhe nuk hedh fjalë nga askush sepse atë nuk e kontrollon askush, e ti që të kontrollon dikës,  ti mendon se të gjithë janë si ti që mund të kontrollohen.

Me që mediat “kontrollohen” dhe shkruajnë për rastin unik që babai është më vizionar se i biri, a i ke  bërë pyetje vetes se përse vazhdon të mbetesh  aty kuje si zv/ministër Hasani dhe flet kundër  zv/ministrit Hasani?

A ju ke treguar shqiptarëve se TetovaSot në 2020  kur shkruante kundër Taravarit dhe pro “shefit” tënd nuk e  kontrollonte askush, apo atëherë isha “profesional”, “i pavarur”, “i pa kapur”, “i pa shitur” dhe “i pa kontrollueshëm”?

Po ti Bashkim a mundesh t’ju tregosh shqiptarëve se  përse ditën qëndron në Qeverinë e Ali Ahmetit dhe natën je kundër Ali Ahmetit, apo ditën je Bashkim e natën je Shkatërrim?

Historia nuk do të shkruaj për mediat e “kontrolluara” por për funksionarët e “kontrolluar” si puna juaj që ditën rrini si Bashkim e natën veproni si Shkatërrim ndaj ideve të liderit tuaj që nesër fëmijët tuaj të jenë të barabartë me ata të vendeve evropiane.

Bashkim, nëse nuk të kontrollon askush, përse ri pra si zv.ministër ditën me Ali Ahmetin e natën rreshtohesh me atë që të kontrollon, pra  Nevzat Bejtën? Nëse nuk je i kapur për hirë të kauzës që keni  nisur me Nevzatin përse nuk largohesh e të jesh i lirë natën,  të “shajsh” mediat e “kontrolluara”,  njerëzit e shitur tek Ali Ahmeti,  të shajsh shqiptarët qe rreshtohen pas frontit për BE dhe të tregoni se ti bashkë me “shefin” tënd e keni çuar Gostivarin në Evropë,  apo je mësuar ditën patriot e natën tradhtar?

Në fund të kësaj historie, për të sharë mediat e “kontrolluara”  nuk ka faj askush sepse hija e Nevzat Bejtës mbi kokën tënde  ndriçon më shumë se dielli i babait tënd Nafi  Hasanit, pasi nuk mund të çlirohesh nga hija e zezë e Nevzatit.

Andaj këshilla nga mediat e “kontrolluara” është ndjeke rrugën e babait tënd se vetëm ai ta do të mirën dhe ai është në rrugën e duhur, në rrugën ndritëshme për fëmijët e tu dhe nipat e tij, mos e ndjek rrugën e atij që ka humbur pesë herë, sepse humbjen e ke të sigurtë në të ardhmen.