Interi ka shënuar fitore në derbin ndaj rivalit lokal, Milanit, në kuadër të javës së 21-të në Serie A.
Ndeshja e zhvilluar sonte në “Guiseppe Meazza” përfundoi me rezultatin 1:0.
Golin e vetëm dhe të tre pikëve për skuadrën e Simone Inzaghit e shënoi sulmuesi argjentinas, Lautaro Martinez, në minutën e 34-të.
Interi pas kësaj fitore vazhdon të mbajë pozitën e dytë dhe tani ka 43 pikë, tri më shumë se Roma, dhe 13 më pak se lideri, Napoli.
Milani renditet i gjashti në tabelë me 38 pikë, aq sa kanë edhe Lazio (4) e Atalanta (5).
Vlen të theksohet se për kampionin në fuqi italian ishte kjo humbja e tretë radhazi, si dhe ndeshja e pestë radhazi pa fitore – krahas dy barazimeve.
Interi në javën e ardhshme luan në udhëtim kundër Sampdorias, teksa “Rossonerët” e presin Torinon.