Dhunimi i Petraq Milos/ Rama: Abazoviç e telefonoi dhe i kërkoi ndjesë! Kryeministri malazez: Profesori nuk e prishi radhën, por po e rregullonte

Kryeministri Edi Rama ka falenderuar homologun Abazoviç për reagimin e menjëhershëm për rastin e dhunimit të profesorit Petraq Milo, nga policët malazezë në Doganën e Muriqanit. Nga Podgorica, Rama tha se Abazoviç e ka telefonuar dhe vetë profesor Milon.

“E vetmja arsye që nuk i ka ndodhur edhe Dritanit ajo që ndodhi me profesor Petraq Milon, është që Dritani njifet nga krifa e luanit dhe nuk e ngatërron njëri.

Dua ta falenderoj për faktin që qysh në sekondën e parë të daljes së asaj videos së shëmtuar, i ka telefonuar profesorit, i ka shprehur ndjesën, ai dhe ministri i Brendshëm. Janë marrë të gjitha masat, në raport me personat në fjalë.

Dhe e gjitha kjo është bërë me xhentilesë maksimale. Por dhe me urtërsi maksimale. Këto janë raste që ndodhin. U ndodhin në ndonjë raste dhe shqiptarëve me policinë shqiptare, apo malazezëve me policinë malazeze.

Këto janë raste që shërbejnë si burim frymëzimi për të gjithë patriotët dhe heronjtë me potencë të rajonit tonë. Këto janë raste që mezi presin për të ndezur flakën e nacionalizmit dhe për të kërkuar që të ndërpriten marrëdhëniet diplomatike me fqinjin e radhës”, u shpreh Edi Rama.