Çka u tha brenda dhe jashtë takimit te amerikanët për Asociacionin?

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha gjatë takimit të së martës për Asociacionin e komunave me shumicë serbe se Washingtoni nuk mbështet asnjë marrëveshje që cenon Kushtetutën e Kosovës.

“Diskutimi i sotëm pasqyron rëndësinë që Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë i kushtojnë Kosovës zbatimin e një Asociacioni të Komunave me shumicë serbe që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015”.

“Ndërsa, disa zyrtarë amerikanë e kanë theksuar tashmë këtë pikë, unë gjithashtu dua të jem i qartë për pozicionin e Shteteve të Bashkuara. Ne nuk mbështesim asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës, që nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, ose që do të kërcënonte sovranitetin, pavarësinë, karakterin multietnik apo institucionet demokratike të Kosovës. Ne e kundërshtojmë rreptësisht krijimin e çdo entiteti që ngjan me Republikën Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë”, është shprehur Hovenier, njofton KlanKosova.tv.

“Presim që Kosova të përmbushë obligimet e saj. Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të ofrojë vizionin e saj për AKSHS që beson se mbron të ardhmen e Kosovës si shtet sovran, i pavarur, multietnik, demokratik dhe që siguron të drejtat e pakicave në përputhje me Marrëveshjet e Brukselit dhe Kushtetutën e Kosovës. Kjo është kritike, e rëndësishme dhe urgjente. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo të funksionojë në interesin më të mirë të të gjithë kosovarëve”.

Para takimit që bëri bashkë zyrtarë qeveritarë, përfaqësues të shoqërisë civile, liderë politikë e anëtarë të korit diplomatik, folën edhe presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti. Mes tjerash, e para e shtetit theksoi se gjithçka që ka të bëjë me Amerikën është e mirë, njofton Klankosova.tv.

Kurse, një ministër i Qeverisë Kurti u deklarua pas takimit.

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, tha për Radion Evropa e Lirë se pjesëmarrësit diskutuan për kornizën politike dhe ligjore të Asociacionit dhe se “diskutimi ishte interesant”.

“Ka pasur replika dhe mendime të ndryshme, por, në përgjithësi, mendoj se cilësia e bisedimeve ka qenë në nivel të lartë”, tha Rashiq për Radion Evropa e Lirë

Rashiq, i cili në disa raste ka përsëritur se marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi nuk mund të injorohen, shtoi se të pranishmit në këtë takim ishin “bashkëbisedues relevantë”.

“Ka potencial për bisedime të mëtejshme”, tha ai.

Për takimin ku u fol për Asociacionin u deklaruan edhe nga dy parti opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

PDK vlerësoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës “në të gjitha fazat më të rëndësishme të vendit, nga çlirimi, pavarësia dhe shtetndërtimi”.

Sipas kësaj partie, në vazhdimësi ka dhënë mbështetje dhe ka inkurajuar qeverinë për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë, e cila sipas partisë “ është ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme, me njohjen reciproke në qendër”, raporton Klankosova.tv.

“Partia Demokratike e Kosovës do të jap gjithmonë kontributin e saj aktiv kur në pyetje është interesi i shtetit dhe i qytetarëve të Kosovës”, thuhet në deklaratën e PDK-së.

PDK pas takimit me Hovenier: Do të japim kontribut gjithmonë për interesin e shtetit dhe qytetarëve

Dallimet ishin mes palës shqiptare dhe asaj serbe dhe jo mes pozitës e opozitës. Kështu tha për Albanian Post, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri që ishte pjesë e takimit.

“Natyrisht dallimet janë të mëdha mes shqiptarëve dhe serbëve”, deklaroi ai, duke shtuar se “nuk ka pasur dallim opozitë-pozitë”, ka thënë Haziri.