Arian Galdini,kandidat për Kryetar Bashkie i Tiranës: Jam i djathtë por qartësisht kundër Berishës dhe Metës…

Sot është një ditë e rëndësishme dhe ne qëllimisht e kemi zgjedhur këtë ditë, sepse si sot 32 vite më parë, dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë, u ngritën dhe mbushën sheshet e Tiranës, për të rrëzuar monumentin e diktatorit Enver Hoxha.

Mbas 32 vitesh ne shohim se monumenti ra, por ra mbi ne. Monumenti ra, por u thërrmijëzua për vazhdimësinë. Enverizmi u thërrmijëzua në Berishizëm, Nanoizëm, Metizëm, Ed Ramizëm, Erion Velijizëm e kështu me radhë e shqiptarët sot nuk shohin ende dritë në fund të tunelit, ngase palët politike të cilat pretenduan se ishin çlirimtare apo përfituese nga procesi i ndryshimeve të quajtura demokratike të viteve ’90, janë ato të cilat e kanë prapakthyer shoqërinë shqiptare në realitete politike të cilat më shumë na ballafaqojnë me mungesat, shtrëngesat, ndalesat, pengesat dhe mospërfaqësimin e qytetarëve në institucione, në vendimmarrje dhe në procese zgjedhore.

Kemi një realitet politik sot mbas 32 vitesh, ku partitë politike në një marrëveshje dhe dakortësim të dukshëm dhe të lexueshëm qartë nga çdo qytetar shqiptar, përveçse kanë vrarë pluralizmin politik, kanë krijuar një realitet ku shqiptarët votojnë, por nuk zgjedhin më. Kemi gjithmonë kandidatë të kryetarëve përballë qytetarëve dhe asnjë kandidat të qytetarëve përballë kandidatëve të kryetarëve.

Dhe pikërisht sot, unë Arian Galdini, Kryetari i LRE – Lëvizja e Re vendos ta përball këtë realitet duke kërkuar që rrëzimi i monumentit të kthehet në një rrëzim themelor të mendësisë dhe kuptueshmërisë se çfarë kemi humbur në këto 33 vite tashmë vijimësi të të njëjtës kulturë të gabuar që na u trashëgua nga ajo kohë që ne menduam se lamë pas kur rrëzuam bustin.

Unë vendos ta sfidoj realitetin më së pari duke kërkuar t’u rikthej shqiptarëve të drejtën për të pasur kandidatin e tyre. Unë nuk dua të jem kandidati i kryetarëve, dua të jem kandidati i qytetarëve. Dua të kandidoj për kryetar bashkie të Tiranës si një qytetar i thjeshtë, jo me pretendimin se unë do të ndryshoj realitetin e kutive të votimit, por ama me guximin se unë mundem të ndryshoj realitetin e fletës së votimit. Shqiptarët kanë vuajtuar nga varfëria e alternativave në fletën e votimit dhe prandaj kanë patur ato rezultate në kutinë e votimit. E nuk është nisje e keqe t’u ndryshosh atyre fletën e votimit dhe ndryshimet reale janë ato që nisin dalëngadalë e hap pas hapi.

Duke kërkuar mbështetjen e 3000 e më shumë qytetarëve të Tiranës, unë kërkoj të hyj zyrtarisht në garë për Kryetar Bashkie të Tiranës që ta bëjmë të mundur ndryshimin e fletës së votimit më së pari. E pastaj do të kemi kohë së bashku ditë pas dite, për të parë edhe gjasat për të ndyshuar realitetin në kutitë e votimit. Me një firmë është i mundshëm ndryshimi i fletës së votimit. Pra besoni tek ndryshimi, sepse nëse një firmë ndryshon realitetin e fletës së votimit, një votë mund të ndryshojë gjithçka në kutinë e votimit dhe në përfaqësimin e qytetarëve shqiptarë në pushtetet për të cilët ata votojnë dhe për pushtetet për të cilët ata delegojnë.

Unë kam zgjedhur këtë ditë, që ta hap sfidën dhe të tregoj këmbënguljen time dhe t’i ftoj qytetarët e Tiranës që ta mbështesin këtë nismë. Unë jam Arian Galdini, unë kam një qasje politike, një aktivizëm politik 33 vjeçar si njeri i së djathtës. Nuk jam i djathtë sepse më ka ndodhur diçka, nuk jam i djathtë për shkak të ndonjë historie personale apo familjare, unë jam i djathtë me vendim, me doktrinë, me bindje, me ide, sepse e kam zgjedhur të jem i djathtë. Unë jam i djathtë dhe nuk i përkas asnjë konjukture dhe realiteti politik që ne kemi njohur si të djathtë në këto 33 vite.

Por dua të sqaroj, nuk hyj në garë për të marrë votat e askujt, sepse askush nuk ka me tapi asnjë votë. Unë hyj në garë si Arian Galdini dhe dua të jem kandidati i qytetarëve dhe i LRE – Lëvizja e Re. Nuk jam as kandidat i Sali Berishës, as kandidat i Edi Ramës, as kandidat i Ilir Metës dhe as kandidat i Erion Veliajt, as kandidat i George Sorosit, as kandidat i Sigurimit të Shtetit, as kandidat i Partisë së Punës së Shqipërisë, as kandidat i Fondit të Artë të 400 mijë fuksave, as kandidat i Shërbimeve Sekrete, as kandidat i Erdoğanit e as i Gülenit, por dua të jem kandidati i qytetarëve shqiptarë.

Dua të jem kandidati i qytetarëve shqiptarë, fillimisht i të djathtëve të cilët janë qartësisht kundër Sali Berishës dhe Ilir Metës. Pra kush ka merak se unë dua vota të kandidatit të Sali Berishës dhe Ilir Metës, unë po u them se unë jam qartësisht kundër Sali Berishës dhe Ilir Metës dhe vendosmërisht kundër Sali Berishës dhe Ilir Metës. Dhe unë besoj që ka një realitet qytetarësh që besojnë tek e djathta, nga qendra e në vijim djathtas që nuk e duan më opozitën të marrë peng nga Sali Berisha dhe Ilir Meta. Unë dua votat edhe të atyre qytetarëve të Tiranës, të cilët duan të çlirohen nga realiteti i pengmarrjes dhe i “Tokës së Xanun“ nga 3 partitë e plaçkëbërjes 33 vjeçare.

Unë dua mbështetjen e qytetarëve të Tiranës, pavarësisht përkatësisë politike, e kërkoj, i ftoj të më mbështesin si kandidatin më të mirë dhe si kandidatin që realisht ofron ndryshimin. Faleminderit dhe do të jemi në komunikim të vazdhueshëm në ditët në vijim derisa ta përfundojmë procesin zyrtarisht.

Deklaratë për Shtyp e Kandidatit për Kryetar Bashkie të LRE Arian Galdini.

Tiranë më, 20 shkurt 2023