A e marrin statusin e dëshmorit (shehidit) viktimat si pasojë e tërmetit, dhe ajo që ka ndodhur, a është ndëshkim dhe hakmarrje e Zotit, për shkak mëkateve të njerëzve?
Komisioni për ixhtihad dhe fetva pranë Unionit Botëror të Dijetarëve Muslinanë
Hadithe autentike të përcjellura prej të Dërguarit të Allahut, flasin se kush që vdes nën rrënoja të ndërtesave, për shkak tërmetit apo për shkaqe tjera, është dëshmor (shehid). Në një hadith qëndron: “Shtatë persona janë dëshmorë (shehidë), përpos atij që vritet në luftë në udhë të Allahut: Kush vdes nga ndonjë epidemi, është dëshmor, kush vdes nga pleuriti është dëshmor, kush vdes nga përmbytja në ujë, është dëshmor, ai që vdes nga sëmundje të barkut (interne) është dëshmor, ai që digjet është dëshmor, ai që vdes nën rrënoja është dëshmor dhe gruaja që vdes duke qenë shtatzënë, është dëshmore”. Hadithin e ka transmetuar Maliku, Ebu Davudi dhe Nesaiju.
Personi i cili vdes nën rrënoja konsiderohet dëshmor (shehid) për shkak vuatjeve të mëdha që përjeton. Gjykatësi Ijad ka thënë: “Këto vdekje janë konsideruar shehidllëk, si mirësi që Allahu ua ka dhënë personave që e kanë përjetuar një vdekje të tillë për shkak dhimbjeve dhe vuajtjeve të mëdha që kanë përjetuar. Për atë që kanë përjetuar, Allahu i shpërblen me shpërblim të dëshmorëve, apo ka mundësi që këta që kanë përjetuar një vdekje të këtillë të jenë quajtur shehidë (dëshmorë) për shkak se kanë qenë dëshmitarë të dhimbjeve të mëdha dhe të forta me rastin e vdekjes. Për këtë, atyre u është dhënë ajo që u është dhënë edhe dëshmorëve.
Ndërkaq, interpretimi i ndodhjes së tërmeteve dhe fatkeqësive të tjera që ndodhin në natyrë si hakmarrje dhe ndëshkim i Allahut për ata të cilët i kanë goditur, është qasje jo e drejtë dhe jo e saktë, pasi bie ndesh me virtytet islame të ngushëllimit dhe ndihmimit të të prekurve nga fatkeqësitë. Bile, ky interpretim bie ndesh me tekste fetare autentike, siç është rasti me hadithin të cilin e përmendëm më parë, pasi si është e mundur që personi i cili vdes nën rrënoja të jetë shehid dhe të shpërblehet me pozitat më të larta në xhenet, dhe në të njejtën kohë ndaj tij të jetë bërë hakmarrje prej Allahut?
Nuk ka pengesë që, kur ndodhin fatkeqësi dhe situata të rënda, njerëzit të këshillohen të pendohen prej mëkateve, t’i kthehen Allahut dhe pjesën e ngelur të jetës ta shfrytëzojnë në adhurim dhe përkushtim ndaj Allahut.
Prej arabishtes: Bashkim Aliu