Ish-shefit të misionit të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, William Walker i është ndarë sot titulli “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti “Haxhi Zeka”në Pejë.Në ceremoninë e ndarjes së këtij titulli ishte i pranishëm edhe kryeministri Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ministra të kabinetit qeveritare si dhe kryetarë të komunave.
Kryeministri Kurti ka përmendur kohën kur Walker kishte ardhur në Kosovë që të verifikonte nëse forcat serbe po vepronin në përputhje me marrëveshjen e tetorit të Kombeve të Bashkuara, për të tërhequr forcat e armatosura.
“Më 1998, ambasadori William Walker erdhi në Kosovë në krye të Misionit Verifikues të OSBE-së, që kishte për mision të verifikonte nëse forcat serbe po vepronin në përputhje me marrëveshjen e tetorit të Kombeve të Bashkuara, për të tërhequr forcat e armatosura dhe për të respektuar armëpushimin. Për qytetarët e Kosovës atë kohë aq shumë i mirëseardhur, ky mision ishte lehtësisht i identifikueshëm nga veturat me ngjyrë portokalli me të cilat lëviznin të 700 anëtarët e këtij misioni verifikues”- ka thënë Kurti.Kurti ka kujtuar deklaratën e Walker para gazetarëve, i cili ka përshkruar atë se çfarë kishte parë në Reçak.
“Nuk kam fjalë për ta përshkruar mllefin tim personal … para një pamje që mund të përshkruhet si krim i pashpjegueshëm. Edhe pse nuk jam avokat, nga ajo që unë pashë personalisht, nuk hezitoj ta përshkruaj krimin si masakër, krim kundër njerëzimit. Gjithashtu nuk hezitoj t’i akuzoj forcat qeveritare të sigurimit për përgjegjësinë”- ka cituar Kurti.Kreu i ekzekutivit ka falënderuar Walker për kontirubutin e tij ndaj Kosovës.