Organizatave ilegale dhe partive paralele serbe në rajon këtë vit do t’u ndahen tre herë më shumë para se në vitin 2022 – rreth 4 milionë e 270 mijë euro – njoftoi zyrtari i Qeverisë së Serbisë, Arnaud Guyon, në seancën “e famshme” të Komitetit të Diasporës me disa drejtues komunalë në Mal të Zi.
“Drejtoria për bashkëpunim me diasporën dhe serbët në rajon në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë ka marrë një buxhet trefish më të madh për mbështetjen e serbëve në rajon dhe shpërndarjen me propozimin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç”, tha Guyon, transmeton mediumi i Podgoricës “Pobjeda”.
Guyon është që nga viti 2020 drejtor i Drejtorisë për Bashkëpunim me Diasporën dhe serbët në rajon dhe gjithashtu, ai është edhe themelues i “fondacion humanitar” me seli në Francë “Solidariteti për Kosovën”.
Edhe pse Guyon prezantohet para publikut në Serbi si një “humanist që ndihmon serbët në Kosovë”, ai vjen nga një lëvizje nacionaliste e ekstremit të djathtë në Francë dhe sipas faqes zyrtare, përfaqësuesit e këtij fondacioni për 15 vjet kanë ofruar “ndihma humanitare për Kosovën” në vlerë prej gjashtë milionë eurosh.
Gjatë takimit ku kryetarët e komunave të gjashtë komunave malazeze dorëzuan një raport për punën e tyre mbi “kauzën serbe” në Mal të Zi, Guyon theksoi se njoftimi për ndarjen e një shume më të madhe parash tregon “shqetësimin e madh të atdheut për serbët në rajon dhe besimin në administratën malazeze për të zbatuar politikën e qeverisë”.
Miliona euro për serbët në rajon
Buxheti i propozuar për vitin e ardhshëm i dedikuar për diasporën dhe serbët në rajon arrin në rreth 4 milionë e 270 mijë euro dhe, siç thuhet, “për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të pjesëtarëve të diasporës dhe ruajtjen e identitetit kombëtar e kulturor të serbëve në rajon”.
Në atë kohë u bë e ditur se edhe disa vetëqeverisje lokale në Mal të Zi po financohen nga buxheti shtetëror i Serbisë. Pasi Marko Kovaçeviç nga Fronti Demokratik pro-serb u zgjodh kryetar i Komunës së Nikshiqit, presidenti serb i dhuroi asaj komune dy milionë euro në fund të vitit 2021.
Rritja e trefishtë e buxhetit për serbët në rajon është e lidhur me zgjedhjet e ardhshme të rregullta presidenciale dhe të jashtëzakonshme parlamentare në Mal të Zi, si dhe me regjistrimin e popullsisë. Mbështetja e Vuçiç-it për organizatat dhe partite paralele serbe, siç shkruan “Pobjeda”, ka qenë gjithmonë më e theksuar në vitet e zgjedhjeve si 2020 dhe tani 2023.
Shuma e ndihmës totale është shumë herë më e lartë nëse në shumën për të cilën ka raportuar “Pobjeda” tashmë janë përfshirë edhe ndihmat financiare të biznesmenëve të afërt me Vuçiç-in për degët lokale të DF-së në të gjithë Malin e Zi.
Se kjo është një shumë e madhe parash dëshmon edhe fakti se Qeveria e Serbisë gjatë gjashtë viteve të fundit ka dhuruar 12 milionë euro për të gjitha organizatat dhe dioqezat serbe të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi.
Në fillim të shtatorit 2018, Guyon i tha televizionit publik të Serbisë se atij i ishte ndaluar hyrja në Kosovë “për një periudhë të pacaktuar, pa shpjegime” ndërsa siç tha ai, ndalimi i është dorëzuar në vendkalimin kufitar në Merdarë, kur synonte të vizitojë Kosovën dhe të marrë pjesë në një ngjarje të organizuar nga Kisha Ortodokse Serbe.
Organizata ka qenë “partneri ekskluziv humanitar i Kishës Ortodokse Serbe” që nga viti 2011 dhe se ata kanë një zyrë në komunën e Graçanicës në Kosovë. Organizata “Solidariteti për Kosovën” e ka regjistruar zyrën e saj përfaqësuese në Serbi në vitin 2017.
Përveç qëllimeve të organizatës, të cilat përshkruhen si “promovimi dhe organizimi i iniciativave solidare me popullatën serbe në Kosovë”, nuk ka asnjë informacion tjetër.