Varroset 31-vjeçari që u vra në Prizren, flet babai: Kurrë nuk besoja se kemi plumba për shqiptarë

31 vjeçari nga Kukësi, V.C., që u vra të martën (dje) derisa po dilte nga një lokal në Prizren, është varrosur sot.

Këtë e ka bërë të ditur një familjar i viktimës, i cili ka shpërndarë edhe fotografi nga ceremonia e varrimit.

“Mijëra qytetarë kuksianë dhe miq të familjes Cengu nga Kosova kishin ardhë për ta përcjellë në banesën e fundit këtë të ri i cili kishte ardhur nga Franca për ta kaluar ndërrimin e moteve në vendlindje”, ka njoftuar ai.

Ky i afërm ka ndarë edhe disa fjalë të të atit të viktimës, i cili citohet të ketë thënë se kurrë s’e kishte menduar “se kemi plumba për shqiptarë”.

“”Ne kishim një armik të përbashkët, Serbinë, të cilës bashkërisht ia drejtuam pushkën dhe kurrë nuk besoja se kemi plumba për shqiptarë” u shpreh i ati i Visartit i cili bashkë me vëllëzërit e tij i kishte kontribuar luftës së UÇK-së për çlirimin e Kosovës!”, u tha në njoftim.

31 vjeçari kuksian, i cili kishte ardhur enkas nga Franca për festa të fundvitit, dyshohet se u vra nga Dibran Hoxhaj, i njohur me nofkën “Kobra”. Atij dhe pesë të dyshuarve të tjerë u është caktuar masa e paraburgimit një muaj. /Reporteri.net/.

Postimi i plotë:

Sot në varrezat e qytetit në Kukës i dhamë lamtumirën e fundit të riut Visart (Behar) Cengu, 31 vjeçar, i cili u vra në makinë duke u larguar nga një lokal në dalje të Prizrenit.

Mijëra qytetarë kuksianë dhe miq të familjes Cengu nga Kosova kishin ardhë për ta përcjellë në banesën e fundit këtë të ri i cili kishte ardhur nga Franca për ta kaluar ndërrimin e moteve në vendlindje.

Kjo vrasje është përjetuar rëndë jo vetëm nga familjarët por edhe nga të gjithë kuksianët dhe miqtë e shumtë të familjes Cengu nga Kosova e mërgata.

“Ne kishim një armik të përbashkët, Serbinë, të cilës bashkërisht ia drejtuam pushkën dhe kurrë nuk besoja se kemi plumba për shqiptarë” u shpreh i ati i Visartit i cili bashkë me vëllëzërit e tij i kishte kontribuar luftës së UÇK-së për çlirimin e Kosovës!

I lehtë i qoftë dheu Visartit e familjarëve Zoti iu dhëntë forcë për ta përballuar këtë dhimbje. Qoftë kjo vrasja e fundit në mes të shqiptarëve!