Në një pjesë të shtëpisë së Ergjan Hajdinit, dërrasat e dyshemesë hiqen një nga një me lehtësi. Ato u dëmtuan nga vërshimet që përfshinë, ditëve të fundit, Lagjen e Romëve në Komunën e Mitrovicës së Jugut.
Ai tregon se familja e tij dhe të prekurit e tjerë në atë lagje janë vizituar nga përfaqësues të Komunës së Mitrovicës së Jugut, ndërsa vëllai i tij, Sulltan Hajdini, thotë se vetëm shpreson për ndihmë.
“Krejt shtëpia është dëmtuar. Iu kisha lutur Komunës [së Mitrovicës së Jugut], Qeverisë së Kosovës që të na këqyrin, të na marrin parasysh sa më shpejt, se ne tjetër rrugëdalje nuk kemi. Ne nuk kemi ndihmë tjetër”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Në nevojë për ndihmë janë shumë qytetarë të Kosovës që nga 19 janari, kur disa zona të vendit u përfshinë nga vërshimet, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. Disa nga komunat më të prekura janë: Skenderaj, Mitrovica e Jugut, Istogu dhe Klina.
Të prekurve nga vërshimet në Skenderaj dhe Mitrovicë të Jugut u janë dërguar pako me pajisje higjienike dhe ushqimore nga Forcat e Sigurisë së Kosovës, me qëllim, siç thuhet në njoftimin e FSK-së, “t’ua lehtësojnë sadopak jetën e vështirësuar nga përmbytjet”.