Shkruan: Florim Zeqa 21.01.2023
Politikan o “Skënderbe” dëshmoje veten me armik e jo me vëlla!
Për këto 24 vite liri dhe 15 vite pavarësi, sa e sa rrëfime i dëgjuam prej politikanëve dhe ish komandantëve të luftës për trimëri dhe heorizëm, për burrëri dhe besnikëri, për moral dhe ndershmëri, për sinqeritet dhe atdhedashuri, por as njërën prej tyre nuk i dëshmuan në vepër!
Mes trimërisë dhe viktimizimit
Kufiri mes trimërisë dhe tradhëtisë, mes besnikërisë dhe prerjes në besë mes shqiptarëve është më i hollë sesa fija e flokut. Kur njeriu i zakonshëm i dëgjon “trimëritë” e deputetëve në Parlament, mbetet i habitur sesi ka mundësi të jemi kaq të padurueshëm e trima me njëri-tjetrin, e sa të durueshëm dhe zemërgjerë me armikun!
Edhe përkundër faktit se e kemi një numër të madh të partive politike dhe një armatë politikanësh “trima”, asnjëri(a) prej tyre për këto 24 vite nuk e mori guximin që të inicojë në Kuvend heqjen e mbishkrimeve “Republika Serbija” të shkruar në çirilicë nëpër komunat e shtetit sovran të Kosovës!
Heshtja përballë këtij realiteti të krijuar nuk është trimëri, por viktimizim dhe dorëzim i vetëdijshëm politik.
Pushteti ua turbullojë mendjen kryeministrave të “guximshëm”
Edhe përkundër ndërrimit të shpeshtë të qeverive, çasja qeverisëse ka mbetur ende e njëjtë. Pa dashur që t’i personalizojë, deri më sot, të gjithë kandidatët për kryemistra, gjatë fushatave zgjedhore, përveqse premtuan më shumë sesa është e mundur të realizohet në praktikë, na u paraqiten trima dhe atdhetarë të mëdhenj, me kauzën e bashkimit kombëtar në maje të gjuhës!
Mirëpo, në momentin e ardhjes në pushtet ndryshojnë gjërat! Secilit prej tyre ju “çfryen gomat” në momentin përballjes së parë me serbët e veriut dhe Serbinë.
Me ardhjen në pushtet e harrojnë trimërinë, i gjejnë justifiket dhe fillojnë me viktimizimin në emër të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit politik. Të gjitha qeveritë dhe të gjithë kryeministrat e deritanishëm bëhen sikur e harrojnë sovranitetin e dyfisht në shtetin e Kosovës.
Në komunat ku shumica është shqiptare e kemi sovranitetin e shtetit të pavarur dhe sovran të Republikës së Kosovës, ndërsa në komunat me shumicë serbe, jo vetëm në veri por edhe në brendi valojnë flamujt dhe mbishkrimet e Republikës së Serbisë!
Mirëpo, për habi apo për mungesë trimërie dhe guximi asnjëherë dhe për as një çast nuk u hoq asnjë flamur i Serbisë në territorin e Kosovës!
A është ky respektim i “multietnicitetit” në shtetin më etnik në Ballkan apo mungesë e guximit politik!? Këtë duhet ta thonë politikanët të cilët me trimëritë e tyre në Parlament dhe Studiot Televizive ia kalojnë edhe heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut!
Politikan o “Skënderbe” dëshmoje veten me armik e jo me vëlla!
Mallrat serbe vërshojnë tregun e Kosovës
Invazionit ekonomik të Serbisë, jo vetëm politikanët, nuk munden t’i bëjnë ballë as qytetarët e varfër të këtij vendi, të cilët duke i numëruar centët e fundit në xhepat e cekët të tyre, me të (pa) drejtë nuk iu bëjnë shumë përshtypje përmbajtja dhe prejardhja e produkteve në supermarketat dhe hipërmarketat e ortakëve serb që i sjellin ato nga Serbia në Kosovë, por preferencë i kanë çmimet më të lira, e jo produktet më të mira!
Nuk mjaftojnë vetëm reklamat “Jo produkteve serbe, konsumo produkte vendore, forcoje shtetin me nacionalizëm ekonomik”, por duhen paraprakisht veprime dhe dëshmi konkrete nga politikanët tonë që janë duke e bojkotuar Serbinë me mallra dhe nacionalizëm politik.