Drejtori i Agjencisë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara (UNHCR), Filippo Grandi ka akuzuar Moskën për shkelje ‘fundamentale’ të principeve për mbrojtjen e fëmijëve, duke iu dhënë pasaporta ruse fëmijëve refugjatë të pashoqëruar.
Ai tha se Rusia po i vendos këta fëmijë për adoptim nga familjet ruse, prandaj UNHCR do të përpiqet të ketë qasje te ta dhe të gjejë zgjidhje për interesin e tyre më të mirë.
Megjithatë, Grandi pranoi se nuk e di numrin e saktë të këtyre fëmijëve.
“Në gjendje lufte, nuk mund ta dish saktë nëse fëmijët kanë famije ose kujdestarë. Prandaj, derisa kjo të qartësohet, nuk mund t’u japësh tjetër nacionalitet ose t’i adoptosh nga një tjetër familje”, thotë Grandi për BBC, përcjell Klankosova.tv.
Sipas të dhënave të fundit të UNHCR-së, afër tre milionë refugjatë nga Ukraina janë regjistruar në Rusi, më shumë se në çdo shtet tjetër evropian dhe mbetet i paqartë numri i fëmijëve ndër këta refugjatë.
Mirëpo, një këshilltar presidencial ukrainas ka deklaruar para disa ditësh se gati 14 mijë fëmijë ‘janë deportuar’ në Rusi nga zonat e okupuara të Ukrainës dhe i akuzoi për kidnapim të tyre. Por, Kremlini ka mohuar këto akuza.
Grandi tregoi se UNHCR po kërkon për qasje në Rusi gjatë gjithë kohës por deri tash kjo përpjekje kanë rezultuar sporadike dhe të pakta.
Reagimi i Grandit vjen pas shqetësimit të zyrtarit të lartë të OKB-së para disa muajsh se fëmijët ukrainas janë marrë nga jetimoret në regjionin lindor Donbas dhe “dhunshëm po deportohen në Rusi”.