“Më çoni në Chelsea ose Bayern”, ultimatumi i Ronaldos që çoi në ndërprerjen e bashkëpunimit me Mendesin

Fundi i vitit të kaluar ishte interesant për Cristiano Ronaldon. Pas intervistës së tij “shokuse” me Piers Morgan, ai u largua nga Manchester Unitedi në kohën kur po bëhej gati për Kupën e Botës.

Për herë të parë që nga fillimi i karrierës së tij në Portugali, Ronaldo më pas e gjeti veten në stol me vendim nga trajneri i asaj kohe, Fernando Santos.
Pasi Kombëtarja portugeze u eliminua, sulmuesi befasoi shumë njerëz duke u nisur për në Arabinë Saudite, duke nënshkruar për Al Nassr.
37-vjeçari tha se ka refuzuar ofertat nga Evropa për të shkuar te Al Nassr. Është e qartë se jo ofertat që ai po kërkonte.

Pas të gjithave, ai ndërpreu bashkëpunimin edhe agjentin e tij Jorge Mendes, i cili kishte menaxhuar karrierën e tij që kur Ronaldo ishte adoleshent.

Në atë kohë u raportua se Mendes vendosi se nuk ishte më i gatshëm të merrej me kërkesat e pesë herë fituesit të “Topit të Artë”.

“El Mundo” ka raportuar se kërkesa përfundimtare e Ronaldos nuk ishte ajo që Mendes mund ta plotësonte.

“Ose më çoni në Chelsea ose Bayern, ose ne e kemi përfunduar”, thuhet se ishte kërkesa e ish-sulmuesit të Real Madridit drejtuar Mendesit.

Nëse ishte Mendes apo Ronaldo ai që e mori hapin për të ndërprerë bashkëpunimin ende është enigmë, por duket qartë se asnjëri nuk ndjeu se po përfaqësohej në mënyrën më të mirë nga tjetri.