Janë lëshuar në hapësirë satelitët Albania 1 dhe Albania 2. Kryeministri i vendit Edi Rama ka postuar në faqen e tij në Facebook momentin kur satelitët janë lëshuar në hapësirë nga Cape Canaveral në Florida.
Kreu i qeverisë thotë në postimin e tij se nga sot Shqipëria ka më shumë aftësi të teknologjisë së lartë për të kontrolluar, mbrojtur e administruar territorin.
“Ja dhe kjo, u tha, u bë. Sapo është lëshuar nga Cape Canaveral, Florida raketa Falcon 9, misioni i përbashkët i SpaceX Transporter 6 që transporton për në hapësirë edhe satelitët tanë, Albania 1dhe Albania 2.
Nga sot Shqipëria ka më shumë aftësi të teknologjisë së lartë për të kontrolluar, mbrojtur e administruar territorin, duke siguruar në kohë reale të dhëna të rëndësishme në një sërë aspektesh kyçe për zhvillimin e qëndrueshëm ”-shkruan Rama krahas videos.
Kujtojmë se në 20 tetor të vitit 2021 kreu i ekzekutivit deklaroi se Shqipëria do të dërgonte dy satelitë në hapësirë. Rama theksoi asokohe se dy satelitët do të shërbenin për çështje civile të vendit duke survejuar territorin e plotë të Shqipërisë. Ndërsa marrëveshja mes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Operatorit “Saterllogic USA Inc” u firmos në Kryeministri në 29 Shtator të vitit 2022.