Këpucaxhiu ulet disi inatshëm në karrige. E porosit një çaj dhe ofshan.
“Kurrë s’e votoj ma Albin Kurtin!”, thotë ai me të madhe, duke i rënë tavolinës me shuplakë.
Njëri nga dy kafexhinjtë vëllezër, te të cilët erdhi për shërbim këpucaxhiu, duket se e kishte pritur hasret këtë moment. Ata dhe mysafiri i tij i përditshëm janë deridiku shokë dhe kalojnë goxha kohë me llafe bashkë, duke qenë se bizneset i kanë afër njëri-tjetrit.
“A e paske kuptu a?”, i thotë ai klientit të tij. “Dil qatje jashtë, kape një dru e mshoj dorës që ja ke qit votën Albinit”.
Mysafirit i erdhi goxha inat nga kjo “këshillë” që e mori e të cilën “shoku” ia tha si në shaka. Megjithatë, nuk ia ktheu me të keqe atij.
“Jo kurrë valla s’i mshoj”, thotë ky. “Nuk e dëmtoj ma veten për Kurtin!”.
Një muhabet si ky, për punën e qeverisë dhe politikën në Kosovë është, pothuajse, kryetemë e përditshme në çajtoren e cila ndodhet në një zonë të madhe biznesi në Prishtinë. Kurdo që hapen kësi llafe, në debat guxojnë të kërcejnë pa pyetur e pa përtesë, edhe tjerë mysafirë në lokal, të cilët, po ashtu, janë klientë ose biznesmenë të vegjël të këndejparshëm.
Njëri nga dy kafexhinjtë, që janë vëllezër, në njëfarë mënyre, është pak ngucakeq, politikisht. Spicat që ua hedh tjerëve bëjnë të kuptohet se ai është një votues dhe simpatizant i LDK-së që rrjedhimisht s’e pëlqen Kurtin, sikur as partinë, qeverinë dhe qeverisjen e këtij të fundit. Ai nuk ngurron t’i shfaq bindjet e veta për kryeministrin, kurdo që i sheh të favorshme momentet për t’i shprehur ato. Sidomos kur në lokal ka simpatizantë ose votuesë të Vetëvendosje.
“Veç ke koxha nifar situatë e shtir a, gati na shtini në luftë, a? Nuk jam tut shumë për vete, se qa bahet me tjert bahet edhe më mu, po jam tut që po ia q.. nanën Kosovës”, thotë ai, teksa ashiqare aludon në menaxhimin, nga kryeministri, të situatës së komplikuar me barrikadat në veri, muajin e kaluar.
Kjo akuzë me fjalë pise rreth veprimeve të shefit të qeverisë nuk i pëlqeu një klienti tjetër, që pa asnjë hezitim deklarohet se është me Kurtin. Ky, duke qenë se e njeh mirë nikoqirin, i gjuhet ashpër atij.
“Çkep çaj bre ti qaty, po ku merr vesh pej ktyne punve”, i thotë atij. “Me kon që din dicka, s’ishe ardh këtu me qit çaj”.
Beteja me fjalë e këtyre burrave në lokal, nuk soset me kaq pak debat. Njëri kafexhi e ka për qejf t’ua përmend klientëve të tij VV-istë atë shprehjen e mëmotshme të Kurtit se nuk e di çfarë është presioni, kur është puna te muhabetet me ndërkombëtarët. E këqyr dhe rikëqyr, me shumë interes, madje tregon se edhe e shpërndan gjithandej kah mundet, një video të përpunuar të kryeministrit ku ai flet për punën e presionit e në të cilën thotë se “është kureshtar ta di si është trysnia ndërkombëtare”.
“Ka pas thanë kisha pas qef me ditë qa asht presioni. Edhe unë kisha pas qef me dit a e kuptoi tash qa asht presioni”, thotë ai, duke targetuar klientët e tij, simpatizantë të Kurtit.
Këta, sigurisht që nuk heshtin. Njëri prej tyre është i armatosur me “fakte” interesante për ta mbrojtur lidershipin e të preferuarit të tij politik.
“Edhe 100 vjet nuk vjen një tjetër politikan si Albini”, thotë ai. “Hasan Prishtina u kan dikur e tash është Albin Kurti”.
Dhjetori i kaluar ishte me plot tensione sigurie e politikë në Kosovë, e posaqërisht në veri të shtetit. Serbët e atjeshëm, të shtyrë nga Beogradi, bllokuan rrugët me barrikada, duke marrë si pretekst arrestimin e një ish polici që thuhet se është i dyshuar për sulme ndaj institucioneve të Republikës. Me shumë se për të, ata u revoltuan pse Kurti deshi t’i heq nga përdorimi targat e makinave që Serbia lëshonte për qytetet kosovare, si KM, PR, PZ…
Barrikadat qëndruan gati tre javë. Ato u hoqën tek kur drejtësia kosovare e lëshuan në arrest shtëpiak ish-policin, Dejan Pantiq. Ky, gjatë gjithë kohës mbahej në paraburgim në stacionin policor të Jarinjes, ku është edhe pikëkalimi kufitar Kosovë- Serbi. Kur ai u lirua, liderët e barrikaduesve veriorë u takuan me presidentin Aleksandar Vuçiq në Rashkë, ku u tha se edhe u mor vendimi për t’i hequr pengesat nga rruga.
Ky lajm, është argument i fortë për njërin kafexhi pro LDK-së, të provojë t’i zë keq mysafirët VV-istë.
“Veç nji sen me ju vet, kush i hjeki barrikadat, Kurti a Vuçiqi, a?”, pyet ai, duke lëshuar një buzëqeshje ironike.
Dy votuesë të Kurtit e kanë në maje të gjuhës përgjigjen. Ajo është kurrgjë tjetër pos citim i asaj çfarë kishte thënë vetë kryeministri për këtë zhvillim.
“Qata që i kanë qit, qata i kanë hjek”.