Fronti Evropian, propozimi francez dhe “lista e zezë” amerikane

Dhe, momenti i tretë është ideja evropiane, e cila në thelb ka vlerat themelore evropiane, që ngërthejnë të gjitha përpjekjet e partive politike, sidomos atyre shqiptare, si: barazia, liria, dinjiteti njerëzor, të drejtat njerëzore, demokracia dhe shteti ligjor. Përveç rezultatit në zgjedhje, kjo lidhje evropiane mund të krijojë një frymë të fuqishme që do të transformonte Maqedoninë e Veriut në një shoqëri moderne, e cila pranon dhe respekton dallimet, dhe në një shtet evropian që garanton barazinë e plotë të të gjithë qytetarëve mbi të gjitha bazat.

Shkruan: Xhelal Neziri

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, më 17 janar shpalosi idenë e formimit të një fronti apo aleance evropiane në Maqedoninë e Veriut, e cila do të përfshinte të gjitha partitë politike që janë të gatshme të çojnë përpara procesin e integrimit evropian, pa marrë parasysh koston politike. Këtë ide ai e elaboroi pikërisht në 555 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, figurës kryesore historike të shqiptarëve etnikë, e cila simbolizon orientimin strategjik të tyre drejt Evropës.

Një ditë më pas këtë ide e mbështeti edhe kryeministri dhe kryetar i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski. “Unë edhe më parë e kam thënë se të gjitha partitë që janë për konceptin evropian të shtetit, tani është koha që këtë ta bëjnë pasi varet nga ne nëse do ta përshpejtojmë integrimin në Bashkimin Evropian”. Kah fundi i vitit 2022, në një tubimin të mbajtur në sallën “Boris Trajkovski” në Shkup, këtë ide e promovoi edhe sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Mile Zeçeviq. “Kjo është koha kur ne të gjithë duhet të jemi në anën e duhur. Dhe ne do të kemi sukses. Për Maqedoninë e begatë dhe evropiane”.

KOALICIONI I PARË ME NJË KAUZË MBIETNIKE

Partitë tjera që janë pjesë e Qeverisë, – si Alternativa, PDSH-ja, PLD, DOM, LD, – ende nuk kanë thënë qëndrimin e tyre rreth idesë për një front evropian. Por, duke marrë parasysh diskursin e tyre publik dhe mbështetjen e dhënë për Propozimin Francez, pritet të jenë pjesë e këtij koalicioni.

Me hyrjen eventuale të Aleancës për Shqiptarët (ASH) në Qeveri atëherë ky front mund të zgjerohet edhe më shumë. Kreu i ASH-së, Arben Taravari, thuhet t’i ketë shprehur gatishmëri Kovaçevskit që të mbështesë konceptin evropian, por gjithçka do të varet nga epilogu i bisedimeve për zgjerimin e koalicionit qeverisës.

Ky koalicion nuk do të përfshinte vetëm VMRO-DPMNE-në dhe LEVICA-n për shkak të qëndrimit të tyre kundër Traktatit të Miqësisë së Mirë me Bullgarinë, nga i cili buroi Propozimi Francez, dhe kundër Marrëveshjes së Prespës me Greqinë. Nga partitë shqiptare, tash për tash, vetëm BESA nuk ka treguar gatishmëri të jetë pjesë e frontit të madh për Evropë, edhe pse nuk ka paralajmëruar se do të kundërshtojë ndryshimet kushtetuese.

Aktualisht ka disa momente që shkojnë në favor të këtij koalicioni.

Momenti i parë ka të bëjë me listat e sanksioneve të SHBA-ve dhe BE-së për të gjithë minuesit e marrëveshjeve të paqes, sidomos në kontekst të gjeopolitikës aktuale të krijuar nga agresioni i Rusisë në Ukrainë. Me urdhër të presidentit të SHBA-ve, Joe Biden, në vitin 2021 u paralajmërua se do të përfshihen në “listën e zezë” të gjithë ata që punojnë kundër marrëveshjeve në Ballkan, përfshirë këtu edhe atë të Ohrit dhe Prespës. Në grupin e marrëveshjeve të rëndësishme për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon pritet të jetë edhe ajo me Bullgarinë, e konkretizuar me Propozimin Francez. Sipas urdhrit, në listë do të përfshihet çdo person apo organizatë që është përgjegjëse ose bashkëpunëtore, i/e përfshirë drejtpërdrejt ose indirekt në aktivitete ose politika që kërcënojnë paqen, sigurinë ose stabilitetin, ose integritetin territorial të ndonjë rajoni ose vendi në Ballkanin Perëndimor dhe minon proceset demokratike dhe institucionet në rajon. Dy vite më pas në Shkup zbarkuan një grup ekspertësh nga Washingtoni për të bërë analizat e fundit lidhur organizatat dhe personat që do të shtohen në listë. Megjithatë, do të pritet të shihet sjellja e partive dhe politikanëve të caktuar ndaj Propozimit Francez që më pas të azhurnohet lista.

Momenti i dytë ka të bëjë me pengesën e fundit në integrimet evropiane. Janë pikërisht ndryshimet kushtetuese për të përfshirë bullgarët etnikë në Preambulë parakushti kryesor që vendi të hapë kapitujt e parë të grupit të kapitujve “Fundamentals”, të cilat pritet të nxisin reforma rrënjësore në sistemin shtetëror të vendit. Ky grup përfshin kapitujt për sundimin e ligjit, për kriteret ekonomike dhe për reformat e administratës publike. Me metodologjinë e re të procesit të negociatave ky grup ka një rol qendror, që do të thotë se pa një përparim të mjaftueshëm në këtë fushë nuk do të hapen grupe të tjera. Madje, grupi “Fundamentals” zgjat gjatë gjithë procesit të negociatave – i pari hapet dhe i fundit mbyllet. Ndryshimet kushtetuese janë paraparë me Propozimin Francez, një dokument kompromisi që u miratua vitin e kaluar nga Shkupi dhe Sofja, që hapi rrugën e nisjes së procesit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE). Tash po finalizohet raporti i skriningut, si fazë e parë para hapjes së kapitujve të parë, që nënkupton analizë të të gjitha ligjeve, normave dhe praktikave të funksionimit të institucioneve të Maqedonisë së Veriut për të parë nëse të njëjtat janë në përputhje me ligjet e BE-së (acuis). Skriningu është një lloj rëntgeni, i cili do të tregojë të gjitha defektet e shtetit të RMV-së, të cilat do të synohet të përmirësohen gjatë procesit të hapje-mbylljes së kapitujve.

Dhe, momenti i tretë është ideja evropiane, e cila në thelb ka vlerat themelore evropiane, që ngërthejnë të gjitha përpjekjet e partive politike, sidomos atyre shqiptare, si: barazia, liria, dinjiteti njerëzor, të drejtat njerëzore, demokracia dhe shteti ligjor. Përveç rezultatit në zgjedhje, kjo lidhje evropiane mund të krijojë një frymë të fuqishme që do të transformonte Maqedoninë e Veriut në një shoqëri moderne, e cila pranon dhe respekton dallimet, dhe në një shtet evropian që garanton barazinë e plotë të të gjithë qytetarëve mbi të gjitha bazat.

SA DEPUTETË DO TË FITONTE FRONTI?

A mund një koalicion i këtillë të fitojë zgjedhjet parlamentare të vitit 2024?

Gjithçka do të varet nga qasja e partive që do të përbëjnë këtë lidhje në drejtim të promovimit të vlerave evropiane dhe të përfitimeve nga procesi i negociatave për integrim në BE. Platforma që do të përpilohet mbi vlerat evropiane fillimisht duhet besuar dhe pranuar nga vetë aktorët e këtij koalicioni. Nëse kjo do të realizohet, atëherë hapi i dytë do të jetë më i kollajshëm – pra ai i bindjes së qytetarëve për ta mbështetur të njëjtin.

Ky koalicion ngjan me atë që u krijua në vitin 2018, kur u mbajt referendumi për Marrëveshjen e Prespës me Greqinë. Edhe pse nuk arriti të fitojë mbi 50 për qind të votuesve, “për” votuan afër 610 mijë votues. Pyetja e referendumit ishte e lidhur me integrimet euroatlantike të vendit dhe ishte formuluar kështu: “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE duke pranuar Marrëveshjen midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë”. Të gjitha partitë që përkrahën këtë referendum pritet të jenë pjesë e Frontit. Përjashtim në këtë rast bën vetëm BESA, e cila ka paralajmëruar se nuk do të jetë pjesë e një koalicioni të tillë. Andaj vlerësimet janë se ky koalicion i madh do të mund të marrë diku në mes 500 dhe 600 mijë votave, të cilat do ishin të mjaftueshme për marrjen e mbi 70 mandateve në Parlament. Në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të fundit parlamentare të vitit 2020, LSDM me partnerët kishte 327 mijë vota, BDI 104 mijë, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 81 mijë, PDSH-ja 14 mijë. Gjithsej fituan diku 525 mijë vota, apo 73 deputetë. Garimi me një listë favorizohet nga formula e D’Hontit, por nga ana tjetër këtu duhet pasur parasysh edhe bojkotin e mundshëm brenda këtyre subjekteve duke marrë parasysh çarjet aktuale që mund të ndodhin.

Përveç mënjanimit të një bllokade të re nga Sofja shkaku i mospërmbushjes së mundshme të obligimeve nga Propozimi Francez, fronti i gjerë Evropian do të ishte një moment kthese në historinë e politikës së Maqedonisë së Veriut. Për herë të parë parti me prapavijë të ndryshme etnike do të bashkoheshin rreth një kauze mbietnike dhe si një koalicion garonin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Promovimi i shtetit ligjor si vlerë, ndërkaq, do të obligojë partitë të dekriminalizojnë listat e kandidatëve për deputetë dhe për poste qeveritare. Njëkohësisht, kjo vlerë do të obligonte të gjitha këto parti që të jenë faktorë aktivë në luftën kundër korrupsionit, duke ngritur një vetëdije tjetër në radhë të parë te anëtarësitë e tyre, e më pastaj edhe në opinionin publik të vendit në përgjithësi.