E la futbollin në moshën 29 vjeçare, ja si ka përfunduar Kampioni i Botës me Gjermaninë

Andre Schürrle u tërhoq nga futbolli profesionist në moshën 29-vjeçare, pasi u shpall kampion bote me Gjermaninë në vitin 2014 dhe fitoi Premier League-n me Chelsea-n. Tani, 32-vjeçari u ka hyrë sfidave të pamundura jashtë fushës së blertë.

“Nuk kam nevojë për më shumë duartrokitje”, kjo ishte fraza lapidare e Andre Schürrles kur i dha fund karrierës së tij si futbollist. Kampioni gjerman i kaloi muajt më të vështirë të pandemisë tek Spartaku Moskës, i huazuar nga Borussia e Dortmundit.

Një sërë rrethanash ndikuan që të merrte vendimin për për të varur këpucët në mënyrë befasuese në një moshë kur futbollistët e tjerë janë në pjekurinë e tyre sportive.

Por Schürrle ka ditur ta menaxhojë kohën e tij. 32-vjeçari ka gjetur një mënyrë për të sfiduar veten me gjëra që për shumicën e njerëzve janë të pamundura: ecja në akull thuajse lakuriq në temperaturën -19 gradë.

“Gjëja më e vështirë mendërisht dhe fizikisht që kam bërë ndonjëherë. Në minutat e fundit nuk ndieja asgjë dhe duhej të gjeja diçka thellë brenda meje për të vazhduar. Një përvojë që nuk do ta harroj kurrë”, – e ka përshkruar këtë përvojë në Instagram kampioni gjerman.

Ish-lojtari i Mainzit, Leverkusenit, Chelsea-t, Wolfsburgut, Fulhamit, Spartakut të Moskës dhe Borussias së Dortmundit e çoi trupin e tij në limitet e mbijetesës.

“Temperatura ishte -19 gradë, era na frynte me 100 kilometra në orë direkt në fytyrë, binte borë dhe shi. Mësova se trupi im është më i fortë nga sa mendoja”, -ka rrëfyer me krenari Schürrle.