“Do të vras politikanët…”, 36-vjeçarit i gjendet një arsenal i tërë armësh (VIDEO)

Mbrëmjen e sotme Policia e Lezhës parandaloi një krim të mundshëm, ndërsa ndali makinën e 36-vjeçarit A.L, ku u gjet një arsenal i tërë armësh.

Pas arrestimit 36-vjeçari ka thënë para policisë se ishte nisur të vriste politikanët.

Kanë qenë familjarët e 36 vjeçarit që kanë lajmëruar policinë pasi e kanë parë duke futur armë dhe municione në fugon. Në makinë ka hyrë dhe e ëma, e cila në momentin e ndalimit është munduar ta mbrojë duke deklaruar se armët janë të sajat dhe se i dispononin pasi punonin me forcat e ushtrisë.

Gjatë kontrollit në automjet, policët gjetën dhe sekuestruan: 1 armë zjarri pistoletë me 5 karikatorë, 1 automatik me 5 karikatorë, 550 fishekë luftarakë për pistoletën dhe automatikun, 1 palë dylbi, 1 antiplumb ushtarak, 1 thikë, 1 çantë ushtarake, 75 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe rroba kamuflazhi.

36 vjeçari akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Përgatitja e kushteve për vrasje”.

Për shkak të sekretit hetimor, duke qenë se ngjarja është në hetim, nuk jepen detaje të tjera në lidhje me motivet dhe objektivin e synuar nga i arrestuari. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme procedurale, njofton policia.