Berisha reagoi si njeri i rrezikuar prej përgjimeve të reja të 21 Janarit

Nga Mero Baze

Normalisht Sali Berisha duhet ta kishte injoruar daljen e përgjimeve të reja rreth urdhrave që komandanti i Gardës ka dhënë më 21 janar për të vrarë. Për t’u dukur i qetë dhe i sigurtë, mund të thoshte që kjo është brenda ligjit apo broçkulla të tjera që thotë gjithmonë.

Por për çudinë e të gjithëve, ai u trazua keq dhe sulmoi inçizimet si të montuara. Pak a shumë siç tha për kasetën e Ilir Metës me Dritan Priftin që çoi tek 21 Janari.

Egërsia me të cilën ai sulmoi përgjimet e reja si montazh, është e rëndësishme për të kuptuar vlerën juridike të atyre përgjimeve.

Nëse përgjimi do ishte i parëndësishëm, Berisha do të thoshte siç ka thënë 12 vjet, “kemi zbatuar ligjin”, “kemi mbrojtur rregulloren e bulevardit”, “rregulloren e sheshit” etj.

Në fakt, i harroi të gjitha gënjeshtrat çfarë ka thënë 12 vjet dhe tha që ai përgjim nuk është i vërtetë, është i montuar etj. Pra reagoi si njeri i rrezikuar prej tyre, nëse janë të vërteta.

Pra e vetmja mbrojtje që i ka mbetur pas daljes së përgjimit është që ai të mos jetë i vërtetë.

Tani është apo nuk është i vërtetë këtë nuk e vendos Berisha. Për fat nuk e vendos më ajo gjykatë që hidhte poshtë ekspertizën amerikane të Gërdecit dhe 21 Janarit, dhe quante ekspertizë dikë që kishte një fushë drush në Gjirokastër dhe teserën e LSI.

Pra mbrojtja e vetme që Berisha ka tani pas daljes së përgjimeve të reja, është që ato nuk janë të vërteta. Kjo është një arsye më shumë për t’i çuar para prokurorisë dhe gjykatës, të cilat duhet jo vetëm të certifikojnë origjinalitetin e tyre, por dhe t’i japin atë rendësi që u jep Berisha, i cili në koshiencën e vet, është i bindur që faktet i ka zhdukur dhe këta mund t’i kenë montuar të duken të vërteta.

Mbi të gjitha është i qartë që po të jetë kaseta origjinale, ai shkon në burg. Dhe ka shpikur që janë montazhe.

Askush më shumë se Berisha nuk ka vlerësuar rëndësinë e tyre prej kur janë bërë publike. Është i vetmi që po mbrohet vetëm me akuzën se janë montazhe. Por për fat të keq të tij, këtë nuk e ka në dorë më ai ta certifikojë si të tillë.