Arrestohet ish-sportisti shqiptar në Britani, kapet në “shtëpi bari” (FOTO+EMRI)
Një ish-futbollist shqiptar, i identifikuar si Elsion Koka, është arrestuar në Britaninë e Madhe pasi është kapur duke punuar në një shtëpi të përshtatur për prodhimin e kanabisit.
Mësohet se me ndërhyrjen e policisë në banesën ku i riu shqiptar punonte janë gjetur 289 bimë me nivele të ndryshme pjekurie.
Mediat britanike bëjnë me dije se sipas një eksperti të drogave, vlerësohet se rendimenti i mundshëm i bimëve mund të ishte deri në 24 kg me një vlerë deri në 125 mijë paund. Gjatë ndërhyrjes në shtëpi ndodhej edhe i pandehuri Koka, i cili pasi u arrestua dhe u mor në pyetje por nuk pranoi të flasë.
Gjykata e Swansea ka bërë me dije se Koka i kishte paguar një bande kriminale një shumë të konsiderueshme parash për ta çuar atë në Mbretërinë e Bashkuar duke udhëtuar me kamion.
26-vjeçari shqiptar ka pranuar se prodhonte kanabis, me pretekstin se kishte ardhur në MB për të fituar para për t’i dërguar në shtëpi familjes së tij në Shqipëri.
Gjatë mbrojtjes së Kokës, avokati i tij tregoi se i riu kishte qenë një futbollist profesionist për një periudhë dhe ishte një njeri me arsim të lartë me një diplomë Master në shkencat sportive.