Agron Çela braktisi PL-në dhe iu bashkua socialistëve? Meta: Nuk shqetësohem nga merkatot

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u pyet sot lidhur me largimin nga Partia të deputetit Agron Çela dhe aludimeve se ai i është bashkuar Partisë Socialiste.

Gjatë një konference për mediat, ai e konsideroi një lajm të shpikur nga Rilindja dhe se nuk shqetësohet për merkatot e saj. Sipas Metës, këto çështje i mbulon ministrja Spiropali.

“Nuk kam koment për lajmet e shpikura dhe të porositura nga Rilindja, nuk shqetësohem për merkatot e rilindjes. Ajo që mund tu them me siguri është që PL do jetë faktor vendimtar për këtë ndryshim që presin qytetarët. Përballja e PL dhe Metës me këtë regjim që ka nxjerr në treg të zi çdo interes kombëtar, është e pashmangshme. Kushdo që ka forcë, qëndresë, është shumë mirë që është në krah të Metës dhe opozitës së bashkuar dhe kjo është një sfidë për njerëz të fortë dhe me ideale.

Nuk jam këtu për t’u marrë me çështje që i mbulon Spiropali. S’kam se ça përgjigje t’u jap unë. Berisha i ka mundur të gjithë në 6 mars në Shkodër, pa seli dhe vulë. Unë isha president në atë kohë. Kudo rritja e PL do jete spektakolare. Kudo”, tha ndër të tjera ai./abcnews.al