Vrasja që tronditi Ferizajn: Ngritet aktakuzë kundër vëllait të Butës

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë kundër Qëndrim Januzit, vëllait të reperit Betim Januzi, për shkak të vrasjes së Gazmend Hysenit më 28 maj të këtij viti në Ferizaj.Prokuroria e akuzon Qëndrim Januzin për veprat penale ‘vrasje të rëndë’ dhe armëmbajtje paleje.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, me datë 28 Maj 2022 në Ferizaj i pandehuri me dashje dhe përgatitje paraprake ka privuar nga jeta tani të ndjerin Gazmend Hyseni, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje të mëhershme lidhur me një veturë të vëllait të tij për të cilën i pandehuri ka pretenduar se i është djegur nga ana e tani të ndjerit, me ç’rast me të takuar të ndjerin, ka shtënë gjashtë herë në drejtim të tij me armë zjarri.“Si pasojë e të shtënave nga plagët e marra i ndjeri ndërron jetë ashtu siç është konstatuar në raportin e autopsisë, me të cilin konstatohet shkaku i vdekjes, e cila ka ardhur si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit, me të cilën ka kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë’ nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Ferizajt.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës kompetente në Ferizaj, që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur të shpallet fajtorë dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale për të cilën akuzohet.