Vetëm 26 vjeç, Onana i thotë lamtumirë kombëtares përmes një mesazhi emocionues

Andre Onana i thotë lamtumirë kombëtares së Kamerunit. Portieri i Interit e bëri të qartë këtë përmes një postimi të gjatë dhe të përzemërt në rrjetet sociale. Onana pati një përplasje me trajnerin e Kamerunit, ku më pas ky i fundit vendosi që ta përjashtojë nga Kupa e Botës Katar 2022.

“Mbaj mend se si i kemi jetuar ndeshjet me gjithë familjen, vetëm kamerunasit mund ta kuptojnë se çfarë do të thotë që një lojtar të jetë në gjendje të përfaqësojë kombëtaren tonë. Pikërisht atëhere fillova të ëndërroja që një ditë të vishja fanellën e “Luanëve të Paepur”.

Ndaj pas orëve të pafundme pune, udhëtimeve të pafundme dhe shumë këmbënguljeve, me krenari mund të them se e kam arritur ëndrrën time më të madhe. Megjithatë, çdo histori, sado e mirë, ka një fund. Dhe historia ime brenda ekipit kombëtar të Kamerunit ka marrë fund.

Lojtarët shkojnë e vijnë, emrat janë kalimtarë, por Kameruni kalon para çdo personi apo lojtari. Kameruni është i përjetshëm. Sado i vështirë të ishte momenti, dashuria ka qenë e përjetshme gjithmonë për kombëtaren dhe për tifozët. Ndjenja ime nuk do të ndryshojë kurrë, zemra ime kamerunase do të vazhdojë të rrahë kudo që të shkoj, gjithmonë do të luftoj për ta çuar vendin tim sa më lart.

Tani e tutje, unë do të të vazhdoj, siç bëjnë më shumë se 27 milionë kamerunas në çdo ndeshje, të ndjek dhe të mbështes ekipin tonë nga jashtë. Nuk mund të bëj gjë tjetër veçse falenderoj të gjithë ata që më besuan mua dhe kontributin që mund të sjell në këtë ekip. Kombi përpara çdo gjëje dhe përgjithmonë”, thuhej në mesazhin emocionues të Onanas.