Subvencionimi i energjisë për industrinë, filloi ulja e çmimit të produkteve bazë


Prodhuesit e industrisë ushqimore bazë, të cilat janë të mbuluara nga masa e qeverisë për energji të subvencionuar elektrike, do të fillojnë t’u ofrojnë marketeve çmime të reja, më të ulëta për produktet ushqimore bazë. Sipas njoftimeve të Ministrisë së Ekonomisë, uljet e çmimeve të këtyre produkteve do të shkojnë nga pesë deri në 13 për qind. Nga kjo masë, pjesë e disa produkteve janë me çmim me të ulët, por që nuk kanë realizuar pritshmëritë e qytetarëve.

“Vetëm buka është liruar, për mishin nuk e di. Sidoqoftë çmimet janë sërish të larta, ndërsa pagat janë tepër të ulëta.”,- tha një qytetar.

“Mendoj që vetëm buka është liruar, çmimi i mishit është i njëjtë, kam dalë nga marketi ku harxhova 50 euro dhe nuk kam blerë asgjë. Duhet rritur pagat pasi janë mizore.”,- deklaroi një qytetare.

“Çmimet janë tejet të larta.”,- theksoi një qytetar.

“Buka sot kushton 32 denarë, është liruar çmimi i bukës.”,- u shpreh një qytetar.

Çmimi i subvencionuar i energjisë elektrike për kompanitë nga industria ushqimore duhet të sigurojë çmime më të ulëta të produkteve ushqimore bazë në tregje. Në periudhën në vijim do të ketë korrigjim të çmimeve të produkteve të tjera të bukës, me gjasë deri rreth 10 për qind. Ulje mbi 10 për qind është e mundur edhe për produktet e mishit nëse Qeveria merr vendim që do të heqë tarifat për lëndët e para të importuara, siç kërkojnë kompanitë e këtij sektori. Por, ulje të çmimeve në dhjetor nuk mund të priten për produktet e qumështit, të cilat, sipas përpunuesve, do të jenë më të lira nga janari.