Për të dytën herë në karrierën e tij, Lionel Messi ka arritur në fazën finale të Kupës së Botës, ku këtë herë synon të ngrejë kupën, e cila do ta konsideronte “pleshtin”, si më të mirin e historisë së futbollit.
Ish-trajneri i Tottenham dhe PSG, Mauricio Pochettino ka krahasuar përpara finales 2 më të mirët në historinë e kombëtares “albiceleste”, Lionel Messin dhe Diego Armando Maradonën.
Mauricio Pochettino krahasoi Lionel Messin dhe Diego Maradona .
“Është shumë e rëndësishme të respektosh Messin. Ai e di se çfarë duhet të bëjë sepse është lojtari më i mirë në botë dhe gjithashtu është shumë i pjekur. Të gjitha vendimet që ai merr në fushë kanë të bëjnë me të dhe Argjentinën.
E di se si është të jesh trajner i Messit, e kam pasur atë sezonin e kaluar te PSG. Ai personifikoi për mua të njëjtën gjë si Maradona. E admiron nga distanca dhe mendon se është lojtari më i mirë në botë.
Ai është nga ata futbollistë që me lojën e tyre ngjall një buzëqeshje dhe një ndjenjë krenarie. Mund ta quash të veçantë, mbinjerëzor ose superlojtar. Dhe kur takoni lojtarë të tillë, për shembull, Maradona, mund t’i admironi vetëm ata.
Messi është një lojtar që di gjithçka. Ai ka aftësinë të lexojë se çfarë po ndodh në fushë dhe të kuptojë se çfarë ka nevojë skuadra prej tij. Dhe nëse keni një lojtar si Maradona, duhet ta shijoni atë.
Kur ai stërvitet me ju për 90 minuta ose dy orë, është e pabesueshme. Kështu që ishte një përvojë e mrekullueshme për mua të stërvitesha me të.
Motivimi i Messit është thjesht i mahnitshëm. Nuk do të gjeni një lojtar më konkurrues se ai apo Maradona. Ata e urrejnë humbjen, madje më shumë se lojtarët e rregullt.
Ata kanë aftësinë për të luftuar për fitore në çdo lojë, në çdo fushë të jetës. Messi është i pari që ka mbërritur në stërvitje për të qenë gati për të dalë në fushë. Edhe në ushtrimet stërvitore, ai ka një nivel krejtësisht të ndryshëm motivimi”,- ka shkruar në një “artikull” të veçantë, Mauricio Pochettino.