Osmani: Vuçiqi e dinë mirë se prania e ushtrisë serbe në Kosovë mori fund më 12 qershor 1999

Osmani: Kosova përfundimisht ka politikë të jashtme, por jo lobim për ndryshim kufijsh

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalimin e saj vjetor para deputetëve të kuvendit ka theksuar se përfundimisht vendi asnjëherë nuk ka pasur politikë të jashtme më aktive, më kuptimplote, më të përgatitur e më të koordinuar.

“Natyrisht që, kjo politikë e jashtme e fokusuar në interesin e Kosovës dhe vetëm të Kosovës, e jo të interesave të ngushta individuale e shpeshherë të paligjshme, po u pengon disave, jo vetëm në Serbi por edhe jashtë saj. “Kosova nuk ka politikë të jashtme”, thonë ca zëra. Natyrisht që Kosova ka politikë të jashtme. Në fakt, më në fund, Kosova ka politikë të jashtme. Por, po ju tregoj se çfarë nuk ka Kosova tani: Nuk ka lobim për ndryshim kufijsh, nuk ka pagesa lobistësh për të shtyrë përpara agjenda individuale, nuk ka intervista të paguara për të promovuar liderë të caktuar, nuk ka flirtime as me Serbinë e as me Rusinë me qëllim të interesave individuale, nuk ka udhëheqës që Kosovën e krahasojnë me Nagorno Karabakh e me Abkhazi e me Krime. Koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar njëherë e përgjithmonë!”, ka theksuar ndër të tjera Presidentja Osmani.

Sipas saj, sfidat e politikës së jashtme janë të panumërta, sepse gabimet kanë qenë të përmasave të mëdha, njofton Klankosova.tv

“Tani ne duhet të riparojmë këto dëme, hap pas hapi, me durim e vizion të qartë. Prandaj, së bashku po ndërtojmë një Kosovë partnere të denjë për nisma politike e për misione paqeruajtëse; e cila ndërvepron me vendet demokratike në fushën e politikës së jashtme e me vendet anëtare të NATO-s në çështjet e sigurisë globale; një Kosovë e cila është shndërruar në faktor të besueshëm në nismat globale; merr pjesë aktivisht në to dhe e bën të dukshme Kosovën gjithandej. Madje, në nisma si Samiti për Demokraci i SHBA-ve, Kosova është ndër performueset më të suksesshme dhe kampione në përmbushjen e zotimeve të marra”, theksoi Presidentja Osmani.

Sipas Osmanit, përfundimisht, politika e jashtme e Kosovës sot është në shërbim të plotë e funksion të forcimit të shtetësisë në arenën ndërkombëtare dhe konsolidim të Kosovës si faktor kyç i stabilitetit dhe prosperitetit në rajonin tonë e përtej.

10:30 – Osmani: Serbia dhe Vuçiqi e dinë mirë se prania e ushtrisë serbe në Kosovë mori fund më 12 qershor 1999

Presidentja Vjosa Osmani në fjalimin e saj vjetor para deputetëve të Kuvendit, ka theksuar se në çdo ditë të këtij viti ka pasur këmbëngulje që shteti dhe ligji përfundimisht të mos u shërbejë vetëm disave, por të gjithëve.

“Sundimi i ligjit është esencial për funksionimin e çdo shtylle të shtetit. Në fakt është parakusht për një gjë të tillë. Por, siç e dini, të nderuar deputetë, veriu i Kosovës vazhdon të jetë sfidë për shkak të pretendimeve territoriale që Serbia ka ndaj Kosovës e të cilat i shpreh nëpërmjet financimit dhe përkrahjes së strukturave ilegale kriminale. Por, ne jemi të vendosur që të krijojmë siguri e sundim të ligjit në çdo cep të territorit të vendit tonë. Bandat kriminale nuk mund ta mbisundojnë dëshirën e qytetarëve tanë në veri për të jetuar të lirë në atdheun e tyre, në Kosovë”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Sipas saj, bandave kriminale nuk iu pëlqen as vendosmëria e institucioneve që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë para ligjit, as zbatimi i ligjit në tërë territorin e vendit.

“Mirëpo le ta kenë të qartë, kjo është rrugë nga e cila nuk devijojmë e nga e cila nuk heqim dorë. Ata do të përballen me drejtësi për veprat penale kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, si dhe për frikësimin e kërcënimet që po ua bëjnë qytetarëve tanë në veri”, ka theksuar Presidentja Osmani.

“Jemi të gjithë dëshmitarë të kërcënimit të vazhdueshëm të Serbisë ndaj Kosovës. Ky kërcënim me përmasa agresioni së fundi është shpërfaqur nëpërmjet idesë hegjemoniste të vendosjes së trupave ushtarake të Serbisë në Kosovë. Por, Serbia dhe udhëheqësi i saj Vuçiq e dinë fare mirë se prezenca e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës mori fund më 12 qershor 1999. Më 1999, kur trupat e NATO-s thyen boshtin kurrizor të idesë hegjemoniste te Serbisë për një Kosovë pa shqiptarë ku shfarosja ishte qëllimi gjenocidal i Millosheviqit”, ka theksuar më tej Presidentja Osmani.

Ajo ka falënderuar në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës, policinë e Kosovës të cilët pavarësisht sfidave po kujdesen për jetën e të gjithë qytetarëve tanë, si dhe të gjithë zyrtarët e tjerë të sigurisë dhe inteligjencës për punën e tyre në mbrojtje të interesave të vendit.

“Puna e institucioneve të Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në veriun e vendit është edhe përpjekje për mbrojtjen e serbëve lokalë nga strukturat ilegale të organizuara në banda kriminale dhe të cilat kanë për synim presionin, frikësimin dhe kërcënimin e tyre. Kosova është një dhe e tërë, atdhe i të gjithëve, pra edhe i qytetarëve të komunitetit serb, siç është dhe i të gjitha komuniteteve të tjera, ndaj e kemi obligim kushtetues të kujdesemi për ta nga veriu në jug, nga lindja në perëndim të Kosovës”, ka theksuar Osmani.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në fjalimin e saj vjetor para deputetëve të Kuvendit, ka theksuar se viti 2022 ka qenë një vit i rrethanave të jashtëzakonshme e rrjedhimisht, një vit i zhvillimeve sfiduese.

“Por, ajo që dua të bëj në fillim të këtij adresimi është të falënderoj qytetarët e Kosovës, bashkëqytetarët e mi, për punën e palodhur, qëndrueshmërinë e pashoq, dhe angazhimin e çdoditshëm që secila ditë të jetë më e mirë se tjetra.”, ka theksuar presidentja Osmani.

Sipas saj, të gjithë qytetarët janë angazhuar për ta bërë këtë vend më të mirë.

“Është ai taksisti që punon përtej orarit për të mbajtur familjen e tij, është mësuesja e shkollës që me mjeshtëri edukon një gjeneratë të tërë dukë dhënë mësim në një klasë të stërmbushur; është infermierja që sakrifikon gjumin e natës për shëndetin tonë kolektiv, është pronarja e biznesit të vogël në një cep të lagjes që kryelartë zhvillon aktivitetin biznesor përkundër parametrave ekonomik që aktualisht nuk janë fort të favorshëm– është një mozaik kaq i larmishëm i individëve që realisht janë heronjtë tanë të përditshëm”, është shprehur Osmani në fjalimin e saj.

Presidentja Osmani ka theksuar se janë njerëzit ata që i bëjnë shtetet dhe jo anasjelltas.

“Janë qytetarët tanë që na konfirmojnë çdo herë se kur krijohen kushtet e duhura dhe garantohen platforma adekuate, suksesi është pothuajse përherë i sigurt. Këtë na e keni dëshmuar me arritjet tuaja në art, sport, shkencë e kudo tjetër. Si e tillë, nga viti në vit, Kosova jonë me ju dhe përmes jush fuqizohet gjithnjë e më shumë”, ka theksuar presidentja.