Messi pas fitores kundër Kroacisë: E dimë kush jemi dhe besojmë të shanset tona, po e shijoj këtë Botëror

Kombëtarja e Argjentinës siguroi sonte kalimin për në finalen e madhe të Kupës së Botës “Katar 2022”.

Kombëtarja argjentinase eliminoi sonte Kroacinë në gjysmëfinale, pasi fitoi me rezultatin 3:0

Messi shkëlqeu edhe sonte, duke shënuar gol dhe regjistruar gjithashtu një asistim.

35-vjeçari pas ndeshjes u shpreh: “Nuk e di nëse është Botërori im më i mirë apo jo. Unë e kam shijuar shumë këtë. Ne ishim të sigurt se ky grup do ta arrinte këtë. Ne e dimë se çfarë jemi dhe i kërkojmë njerëzve të besojnë tek ne. Shumë gjëra më kalonin në mendje. Është shumë emocionuese të shoh të gjitha këto, njerëzit, familjen”.
“E gjithë Kupa e Botës ishte e pabesueshme, ajo që përjetuam dhe tani po shkojmë për ndeshjen e fundit, që është ajo që donim. Kemi kaluar situata të vështira, të tjera shumë të mira. Sot po jetojmë diçka spektakolare. Po e shijoj me të gjithë këta njerëz dhe me të gjithë argjentinasit që janë në vendin tonë. Unë imagjinoj se duhet të jetë e çmendur”.

Argjentina do të presë fituesin nga ndeshja e nesërme gjysmëfinale, mes Francës dhe Marokut, që do të zhvillohet nga ora 20:00.

Finalja e madhe e Kupës së Botës do të zhvillohet të dielën.