Mbesa e Salih Mustafës: Xhaxh, shumë e vështirë të shoh idhullin tim të dënohet

Gjykata Speciale e ka dënuar sot me 26 vjet burgim Salih Mustafën.

Mustafa është shpallur fajtor për torturim, trajtim mizor dhe vrasje të të ndaluarve në kompleksin e BIA-s, ku ai ishte udhëheqës, njofton Klan Kosova.

Aktgjykimin e ka shpallur kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia.

Për këtë ka reaguar mbesa e tij, Arta Mustafa, përmes një shkrimi emocional në Facebook.

Arta, e cila me profesion është gazetare, ka thënë se ka mbetur pa fjalë në këtë ditë.

“Xhaxh, Më fal, po sot mbeta pa fjalë. E di që nëse kishe qenë këtu, më kishe thon: ‘Qysh be xhaxh, me qenë gazetare, edhe me të mungu shprehjet. Bash ti duhesh me ditë qysh me u shpreh më së miri’, me atë buzëqeshjen e lehtë e triumfuese që të karakterizon”.

“Por xhaxh, mbesa jote po të zhgënjen kësaj radhe, se kom mbet e heshtun, pa fjalë, e s’di ç’të them ndaj këtij vendimi e kësaj padrejtësie që të është bë sot”, shkroi Arta Mustafa, mes tjerash.

Ajo tha se është shumë e vështirë për të ta shohë axhën e saj të dënohet me kaq shumë vite.

“Xhaxh, qenka shumë vështirë me pa, se idolli im, që përfaqëson idealet e luftës e drejtësisë, u dënua, pikërisht për mbrojtjen e këtyre idealeve të kombit tonë, për kohën kur pak patën guximin t’i dilnin ballë luftës për çlirim të atdheut, e ti ishe në krye”.

Arta thotë se do të donte ta kishte afër, “në mesin tonë, ku e ke vendin, e për çka ke luftu, në liri”.

“Por, e di xhaxh, ti je i fortë. Jam shumë e bindur, ke me kalu edhe këtë, e ke me u kthy, më i fortë se kurrë. E si gjithë xhaxh, ke me fitu, edhe këtë betejë. Të presim, Krenarë gjithmonë me ty, Komandant”, përfundoi Arta Mustafa.