Kritikoi qeverinë, Irani “mban peng” familjen e futbollistit të njohur

Familja e futbollistit të njohur iranian, Ali Daei, u pengua nga autoritetet në Republikën Islamike të largohej nga vendi të hënën.

Një fluturim i planifikuar për në Dubai me gruan dhe vajzën e futbollistit në bord, u detyrua të kthehej në Iran, shkruan CNN.

“Gruaja dhe vajza e tij u ndaluan të udhëtonin pasi ata nuk kishin informuar autoritetet përkatëse për vendimin e tyre pavarësisht se ishin urdhëruar ta bënin”, raportoi fillimisht agjencia zyrtare e lajmeve IRNA, në një artikull që më vonë u tërhoq.

Fluturimi, i cili u nis nga Teherani, u urdhërua të ulej në ishullin iranian Kish në Gjirin Persik, ku familja u urdhërua të zbarkonte.

Daei, 53 vjeç, është ish-kapiteni i ekipit kombëtar iranian të futbollit dhe dikur mbante rekordin për më shumë gola ndërkombëtarë. Ai ka qenë kriktik ndaj qeverisë dhe një mbështetës i zëshëm i protestave të vazhdueshme në Iran, të cilat shpërthyen pasi 22-vjeçarja Mahsa Amini vdiq në shtator.

Mediat iraniane raportuan se destinacioni përfundimtar i gruas së Daeit ishin Shtetet e Bashkuara, por vetë futbollisti e mohoi këtë lajm dhe tha se familja po shkonte në një vizitë të shkurtër në Dubai.