Katër policë u lënduan nga përleshja mes tifozëve në Prishtinë

Katër policë pësuan lëndime sonte pas përleshjes mes tifozëve në ndeshjen finale të Superkupës së Kosovës në basketboll, mes Sigal Prishtinës dhe Trepçës.

Kjo ndeshje u zhvillua sonte në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, teksa u fitua nga kryeqytetasit me rezultatin 73:54, shkruan Gazeta Express.

Kjo ndeshje u përshkrua me tensione në tribuna, ku të pranishëm ishin “Plisat” dhe “Torcidat”.

Një përplasje e madhe mes tyre ndodhi pasi përfundoi pjesa e parë, me ç’rast u nevojit edhe ndërhyrja e policisë.
Zyrtarët e ndeshjes pastaj vendosën për zbrazje të palestrës dhe pjesa e dytë e ndeshjes u zhvillua pa praninë e tyre.

Flora Ahmeti, zëdhënësja e Policisë së Kosovës në Prishinë, konfirmoi se katër policë u lënduan nga kjo përleshje. Ajo gjithashtu konfirmoi se nuk ka ndonjë tifozë të lënduar.

“Sot rreth orës 18:00, në Pallatin e Rinisë, gjatë një ndeshje basketbolli, ka ndodhë një incident, ku tifozët duke dëmtuar sallën, janë gjuajtur mes vete me mjete të forta, me ç ‘ rast kanë lënduar 4 zyrtarë policor, të cilët ishin në detyrë, të angazhuar për menaxhimin e situatës. Nga ana e tifozëve, deri tani nuk është raportuar për ndonjë të lënduar”, tha Ahmeti.

“Pas vënies nën kontrollë të situatës, policia në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë nisë një hetim për identifikimin dhe arrestimin e peronave të dyshuar për veprat Sulm ndaj personit zyrtar dhe asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, deklaroi zëdhënësja e Policisë.

Kujtojmë se këtë incident e ka dënuar ashpër Federata e Basketbollit e Kosovës, Komiteti Olimpik i Kosovës, si dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.