Aktori i madh ameirkan, Danny DeVito, ka zbuluar në një intervistë të dhënë së fundmi rrënjët e tij shqiptare.
Gjatë pjesëmarrjes në një emision në YouTube, “The Always Sunny Podcast”, të regjisruar në Los Anxhelos dhe të publikuar të hënën, DeVito kujton se gjyshja e tij fliste një gjuhë të veçantë.
“Familja ime është nga Kalabria, një nga gjyshet e mia është nga Kalabria, dhe mu aty është Italia. Kur unë isha shumë i vogël ajo ishte në shtratin e vdekjes, histori tragjike… Ajo fliste një gjuhë që quhej gegë. Disa njerëz mund ta dinë çfarë është, është një gjuhë hibride shqiptare, një gjë italo-shqiptare… Gjyshi im nuk e pëlqente, sepse ajo e fliste me shoqet e saj…”, thotë DeVito.
“Kam takuar vetëm një njeri që e njihte këtë gjuhë, gjithashtu një person i lindur në jug të Italisë. Gjuha është shumë e bukur, e vetmja fjalë që njoh është “shiu”, një fjalë e bukur. Nuk ka lidhje fare me italishten apo arabishten… thuajse si muzikë…”.
DeVito i shtohet kështu listës së aktorëve të famshëm botërorë me origjinë shqiptare, si vëllezërit John dhe Jim Belushi, apo Eliza Dushku. Disa vite më parë, edhe Robert de Niro, deklaroi në një intervistë në Sanremo se ishte pjesërisht me origjinë shqiptare përveç se siciliane.
Pas rënies së trojeve shqiptare thuajse plotësisht nën sundimin osman, në shekullin XV, një pjesë e popullsisë vendase zgjodhi të emigronte përtej Adriatikut, duke u vendosur në territore të ndryshme të jugut të Italisë dhe ishullit të Sicilisë. Sot, këto komunitete, të identifikuara si arbëreshe, ruajnë ende gjuhën dhe traditat e hershme, të trashëguara brez pas brezi.