Drejtori sportiv i Al-Nassr konfirmon bisedimet me Cristiano Ronaldon

Cristiano Ronaldo duket se po afrohet vazhdimisht me Al-Nassr.

Sulmuesi u rikthye në Evropë pas pushimit pas eliminimit në Kupën e Botës “Katar 2022” dhe nisi stërvitjet në ambientet e klubit të Real Madridit.

Derisa nuk raportohet të ketë interesim nga ndonjë klub evropian, Ronaldo vazhdon të jetë i lidhur me një kalim te Al-Nassr.

Drejtori sportiv i klubit nga Arabia Saudite, Marcelo Salazar, ka konfirmuar se janë në bisedime me yllin portugez.

“Ne do të presim dhe të shohim se si do të zhvillohen gjërat deri në fund të vitit. Siç duhet ta kuptoni, ky është një negocim me përmasa të mëdha, jo vetëm për klubin, por për vendin dhe për futbollin botëror dhe duhet të kryhet nga autoritetet më të larta”, tha ai, përcjell “AS”.

Salazar gjithashtu thuri lavde për 37-vjeçarin, duke thënë: “Ai ka qenë gjithmonë shembull për mua si sportist, për vullnetin që tregon për të fituar. Dhe më pas, si qytetar portugez, e kam mbështetur gjithmonë. Por në momentin e duhur, e ardhmja e tij do të zbulohet”.

Pesë herë fituesit të “Topit të Artë” thuhet se i është ofruar një kontratë e vlefshme deri në vitin 2025, me shifra rekorde fitimi prej 200 milionë eurosh në sezon.

Ronaldo nuk i nënshtrohet rregullave të afateve kalimtare, pasi ai është lojtar i lirë pas prishjes së kontratës me Manchester Unitedin.