Abazoviq për ‘Ballkanin e Hapur’: Çdo gjë që ndihmon në uljen e tensioneve në rajon është në favor të të gjithëve
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka deklaruar se iniciativa ‘Ballkani i Hapur’ është gjithëpërfshirës për sa kohë që ka një ftesë për të gjitha vendet e Ballkanit.
Abazoviq u takua në Podgoricë me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, me të cilin ka biseduar për marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve. Një nga temat ishte gjithashtu iniciativa rajonale ‘Ballkani i Hapur’.
Ai u shpreh se edhe nëse një vend ka ndonjë shqetësim për nënshkrimin e një marrëveshjeje, nuk është problem nëse ka pritje.
“Çdo gjë që ndihmon në uljen e tensioneve në rajon është diçka që logjikisht është në favor të Malit të Zi. ‘Ballkani i Hapur’ nuk ka asnjë akt themelues që kërkon nga ne të pranojmë ndonjë marrëveshje të veçantë, kështu që atëherë mund të mos jemi në gjendje as të largohemi pa pasoja. Kjo nuk është NATO, as Bashkimi Evropian, është shprehje e vullnetit të mirë të vendeve që dëshirojnë të ndërtojnë një të ardhme të përbashkët me fqinjët rreth temave të caktuara”, tha Abazoviq.
Abazoviq u shpreh se Mali i Zi do të jetë aty nëse ‘Ballkani i Hapur’ mund të përmirësojë sadopak bashkëpunimin rajonal.
Ai shprehu keqardhje që u besohet atyre që kanë “disa qëllime të tjera”, që rajoni të mos bashkëpunojë dhe të mbetet në vitet e 1990-ta.