UNESCO merr nën mbrojtje xhubletën shqiptare


Xhubleta shqiptare, veshja 4 mijë vjeçare, është marrë nën mbrojtje Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO).
Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti.

Ajo tha se Komiteti Ndërqeveritar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, në mbledhjen që u mbajt në Rabat të Marokut, ka vendosur që të pranojë dosjen e dijebërjes artizanale të xhubletës, duke e pranuar në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s, dhe duke e bërë atë pasuri të gjithë njerëzimit.

“Xhubleta është një thesar që në vrullin e kohës po rrezikonte të humbiste, por ne nuk duhet të lejojmë që xhubleta të mbetet thjeshtë një relikt e së shkuarës, por do të ketë mbështetjen e institucioneve tona, po edhe atyre ndërkombëtare si vlerë e të gjithë njerëzimit”, tha Margariti duke e cilësuar këtë vendim si “lajm të jashtëzakonshëm”.