Takimi i së hënës në Bruksel, Vuçiq njofton se me Kurtin do të shihen në ora 8 të mëngjesit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka njoftuar se nesër do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Bruksel.

 

Vuçiq tha se takimi mes tij e Kurtit do të nisë në orën 8 të mëngjesit.

 

“Bisedimet do të fillojnë në mëngjes në orën 8, që do të thotë se ne do të largohemi nga Beogradi në 4, ose 4:30, ose sonte vonë”, tha Vuçiq për TV Prva.

Unë do të shkoj, jo pse mendoj se mund të bëjmë diçka, por mos t’ju dhënë arsye për të fajësuar Serbinë se nuk deshi të marrë pjesë”, shtoi ai.

Një konfirmim për takimin mes Kurtit dhe Vuçiq erdhi sot edhe nga Qeveria e Kosovës.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu tha për Gazetën Online Reporteri.net se Kryeministri i vendit sot do të niset drejt Brukselit, për tu takuar të nesërmen me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

“Kryeministri Kurti udhëton sot për në Bruksel, ndërkaq takimi ndërmjet kryeministrit Kurti dhe z. Vuçiq është konfirmuar për nesër, ditë e hënë”, tha Kryeziu.

Takimi i së hënës vjen pas ftesës së Shefit të diplomacisë së BE-së, për të gjetur një zgjidhje për targat.

 

Nga 21 nëntori do të nis zbatimi i masës së gjobave prej 150 euro për targat ilegale.