Suspendohet drejtori rajonal i policisë në Mitrovicën e Veriut

Është suspenduar drejtori rajonal i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Nenad Gjuriq.

Fillimisht, lajmin për Klan Kosova e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Më Policia e Kosovës ka dërguar edhe komunikatë për media lidhur me suspendimin e Gjuriq.

“Me datë 03.11.2022, u.d. drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës me rekomandim të IPK-së ka suspenduar nga ushtrimi i detyrave të përgjithshme të punës dhe autorizimeve policore drejtorin rajonal të Mitrovicës Veri, për mosrealizim të autorizimeve ligjore dhe zbatim të vendimeve zyrtare”.

Suspendimi i tij është mbështetur në autorizimet ligjore, udhëzimin administrativ për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës dhe rekomandimit të IPK-së.

“Policia e Kosovës, do të vazhdojë angazhimet e saja në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, duke qenë profesionale në shërbim të vendit dhe të gjithë qytetarëve pa dallime, andaj nuk do të tolerojë përfshirjen e asnjë punonjësi në aktivitete apo veprime që bien në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe udhëzimet administrative të PK-së”.