Statistika dhe fakte interesante të Botërorit

Sonte i është hapur perdja Kupës së Botës, e cila do të na shoqërojë për afro një muaj, deri më 18 dhjetor.

32 Kombëtare pjesëmarrëse do ta kërkojnë lavdinë në garën më të madhe të futbollit global.

Tetë stadiume moderne me kapacitet nga 40 deri në 80 mijë ulëse do t’i presin 64 ndeshje gjatë 28 ditëve të Botërorit.
6 stadiume të reja janë ndërtuar dhe 2 të tjera janë rinovuar, derisa kostoja e shpenzimeve ishte 3 miliardë euro.

E veçantë tjetër e kësaj gare është se në “Katar 2022” janë shitur biletat më të shtrenjta ndonjëherë.

Bileta e ndeshjes finale do të kushtojë mesatarisht 784 euro, kurse në ndeshjet tjera, 327 euro.

Kjo është Kupa e Botës numër 22, ndërsa për herë të parë ishte mbajtur në vitin e largët 1930.

Kjo do të jetë hera e parë që kjo garë e madhe do të mbahet në një vend arab.

Por, do të jetë hera e dytë që do të mbahet në Azi, pas Botërorit 2002, i cili ishte mbajtur në Japoni dhe në Korenë e Jugut.

Gjithashtu, do të jetë hera e parë që ky eveniment sportiv do të mbahet në këtë pjesë të vonshme të vitit.

Kjo për shkak të klimës ekstreme gjatë verës në Katar.

Franca është kampione në fuqi e botës dhe njëra prej favoriteve, bashkë me Brazilin, Argjentinën, Gjermaninë, Spanjën e Portugalinë.

Kurse, Italia, një tjetër favorit potencial, nuk arriti të kualifikohej.

Në këtë Botëror hise do të kenë edhe shqiptarët.

Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka dhe Ardon Jashari do të jenë ambasadorët tanë në Katar, teksa do ta përfaqësojnë Zvicrën.

2/3 e vlerës së Botërorit vijnë nga kontinenti i Evropës, ku futbolli është më i shtrenjti dhe më fitimprurësi.

Për yjet si Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, ky do të jetë Botërori i fundit në karrierë.

Të dy janë të vendosur për të triumfuar në tentimin e tyre të fundit.