Shqipëria do ta ekstradojë shtetasin e Turqisë që akuzohet për mashtrim me kriptovaluta

Gjykata e Elbasanit në Shqipëri vendosi sot ekstradimin e shtetasit turk Faruk Fetih Ozer, i akuzuar për mashtrim me kriptovalutat.

Mbrojta ka kohë 15 ditë nga njoftimi i vendimit që të apelojë vendimin. Shtetasi turk nuk ishte prezent në sallën e gjyqit, madje as avokati tij.

Mbrojtja kërkon mosekstradimin e shtetasit turk në Turqi, pasi sipas tyre ndihet në rrezik për jetën. Më herët kanë deklaruar se ndaj tij është zhvilluar një sulm politik.

Avokati mbrojtës kërkon që gjykata e Elbasanit të mos nxitohet në kryerjen e ekstradimit të turkut, i cili në Turqi rrezikon më shumë se 400 vite burg sipas sistemit të drejtësisë turke që i përllogarit dënimet për secilin të dëmtuar nga aktiviteti i tij në atë vend.