Putin me dekret për mobilizimin e rusëve të dënuar për krime të rënda

Presidenti rus Vladimir Putin ka nënshkruar një ligj për të rekrutuar qytetarët me dënime të pashlyera ose të pazgjidhura për vrasje, grabitje, vjedhje, trafik droge dhe krime të tjera, për t’i thirrur në shërbimin ushtarak.

Kjo bën të mundur mobilizimin e qindra mijëra njerëzve që janë dënuar me kusht ose janë liruar së fundmi që më parë ishin të ndaluar të shërbenin, shkruan CNN, transmeton Klan Kosova.

I vetmi grup kriminelësh të përjashtuar nga dekreti janë ata që kryen krime seksuale ndaj të miturve, tradhti, spiunazh apo terrorizëm.

Përjashtohen gjithashtu ata që janë dënuar për tentativë vrasjeje të një zyrtari qeveritar, rrëmbim avioni, aktivitet ekstremist dhe trajtim të paligjshëm të materialeve bërthamore dhe substancave radioaktive.

Putin tha të premten se Kremlini kishte mobilizuar tashmë 18 mijë ushtarë shtesë mbi objektivin e tij prej 300 mijë sosh për të luftuar në Ukrainë.