Mund t’i bëjë bashkë Macroni- Kur u takuan herën e fundit Kurti dhe Vuçiqi?

Kryeministri i vendit Albin Kurti, ka udhëtuar në Paris, ku siç tha ‘mund’ të ndodhë edhe një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Nikoqir i këtij takimi, thuhet të jetë, presidenti francez, Emmanuel Macron.

Teksa vet kryeministri Albin Kurti, bëri të ditur se atje pritet të diskutohen dy propozime. Njëri i ofruar nga vet Kurti, dhe tjetri, propozimi franko-gjerman, përcjell klankosova.tv.

Në takimin e fundit në muajin gusht, që kishte kryeministri Albin Kurti me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel, ishte shtruar në diskutim propozimi për një Kornizë të Përgjithshme.

Kryeministri Kurti po atë ditë kishte falënderuar Bashkimin Evropian, Borrel dhe Lajçak, për organizimin dhe ndërmjetësimin në këto bisedime, drejt normalizimit të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Por çka në fakt ndodhi në takimin e fundit që patën Kurti dhe Vuçiqi në Bruksel?

Kurti për takimin me Vuçiqin: Isha kreativ e konstruktiv, pala tjetër erdhi totalisht e papërgatitur
Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se në dialog i cili u mbajt më 18 gusht në Bruksel, ka shkuar i përgatitur, duke iu përgjigjur kështu edhe një herë deklaratës së ambasadorit amerikan Chris Hill, i cili ka thënë se Serbia ishte e përgatitur.

Pas mbledhjes së qeverisë, Kurti tha se ka qenë kreativ, konstruktiv dhe i përkushtuar për dialog për marrëveshje, jo për dialog për dialog.

“Së pari në Bruksel kam qenë unë dhe kam marr pjesë në të gjitha takimet. Kam qenë kreativ, konstruktiv, i përkushtuar për dialog për marrëveshje jo për dialog për dialog. Marrëveshja duhet të jetë ndërkombëtarisht ligjërisht e obligueshme, duhet të jetë finale, për normalizim të plotë bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e që në qendër duhet ta ketë njohjen në reciprok. Kam shkuar me propozime konkrete. Në pikën fillestare dhe kryesore që është korniza gjithëpërfshirëse e përgjithshme e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve unë kam prezantuar një ide me 6 kapituj dhe me elemente përkatëse se si do të duhej të duket ajo kornizë e përgjithshme e marrëveshjes me elementet përkatëse. Pra unë kam propozuar konkretisht, ai që propozon konkretisht është konstruktiv, është ndihmues, kreativ dhe ky kam qenë unë në takimin e 18 gushtit”, tha kryeministri

Kreu i qeverisë kosovare tha se Serbia nuk ka sjell ide konkrete edhe pse e ka shtyrë takimin i cili fillimisht u pati paralajmëruar se do të mbahej në korrik.

“Mos harroni që ky takim është dashur të mbahej në korrik, unë kam qenë i gatshëm, mirëpo Beogradi ka kërkuar shtyrje për 1 muaj, dhe kur ka ardhur pas 1 muaji nuk ka sjell ide konkrete. Unë kam sjell ide konkrete dhe jo vetëm kaq, teksti dhe përmbajtja e një marrëveshje tashmë është dakorduar. Marrëveshje për personat e zhdukur me dhunë është dakorduar, por Beogradi ka refuzuar ta nënshkruaj atë. Nga ana ime, kjo ka qenë plotësisht pozitive, optimiste. Takimi ka qenë në frymë konstruktive në frymë pozitive, mirëpo s’ka gatishmëri nga pala tjetër që të bëjë asnjë lloj marrëveshje, tash insistimi ka qenë që të bëjë menaxhimkrize, për çështje të sigurisë e takuam Stoltenberg më 17 gusht, më 18 gusht ishte takimi i liderëe, për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes takojmë NATO-n. Nëse dëshirojmë që të mos bëjmë marrëveshje të mos flasim për kornizën, por vetëm për hapat e vegjël gradual, atëherë s’do të jemi lider më”.

Tutje, kryeministri shtoi se është i interesuar për marrëveshje, dhe siç tha ai, ‘sa për mua do të duhej të nënshkruhej më 18 gusht’.

“Ai ishte takim i liderëve të dy shteteve për marrëveshje, që të dialogojmë për marrëveshje duhet të merremi vesh për kornizën e përgjithshme. Unë shkova i përgatitur, pala tjetër ka ardh totalisht e papërgatitur. Jam i interesuar për marrëveshje, sa më parë aq më mirë dhe sa për mua do të duhej të nënshkruhej më 18 gusht”, ishte shprehur Kurti, njofton Klankosova.tv.

Sipas Vuçiqit, këto janë gjashtë pikat që Kurti i propozoi në Bruksel më 18 gusht
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ka propozuar gjashtë pika në takimin e Brukselit që e patën të enjten.

Në konferencën e tij për media pas takimit që pati me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, Vuçiq ka deklaruar se nga Kurti është propozuar marrëveshja e gjithëpërfshirëse për të dyja shtetet.

“1. Njohja reciproke dhe hyrja në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

2. Zgjidhja e problemit të personave të pagjetur, konstatimi dhe zgjidhja e problemit të personave të dhunuar, zgjidhja e çështjes së të zhvendosurve, e shkatërrimit të pronës publike private dhe kthimit të objekteve të të gjitha dhe i të tjerave që Serbia i vodhi Kosovës dhe në fund dëmshpërblimet e luftës që Serbia duhet t’i paguajë”.

“3. Bashkëpunimi në të ardhmen.

4. Respektimi reciprok i të drejtave të njëjta që kanë serbët në veri, për shqiptarët në Bujanoc dhe Preshevë.

5. Rishqyrtimi i marrëveshjeve të dakorduara më parë, si dhe pika

6. Marrëveshja përfundimtare”, ishte shprehur Vuçiq, sipas Nova.

Pas tërë këtyre pretendimeve të presidentit serb, Qeveria e Kosovës kishte publikuar një deklaratë, në të cilën shkurt, kishte dhënë detaje rreth negociatave të 18 gushtit.

”Sot kishte dy tema në agjendë. E para ishte diskutimi për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes. Kryeministri Kurti theksoi që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë”, thuhej në deklaratën e qeverisë.

”Tema e dytë ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat Kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim”.

Por, çka përmban propozimi franko-gjerman sipas raportimit të një mediumi ndërkombëtar?
Mediumi evropian “Euractiv” ka publikuar nëntë pika të draft-dokumentit franko-gjerman që është propozuar në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

Në pikat e publikuara nga ky medium thuhet se Prishtina dhe Beogradi duhet të kenë marrëdhënie të mirë të fqinjësisë dhe të barabarta.

Tutje, sipas këtij mediumi, theksohet se të dyja shtetet çdo mosmarrëveshje duhet të zgjidhin në bazë të Marrëveshjes për Stabilizim- Asociim.

Në vijim i gjeni nëntë pikat e publikuara nga Euractiv:

Neni 1

Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën bazuar në të drejta të barabarta.

Neni 2

Kosova dhe Serbia do të udhëhiqen nga aspiratat e përbashkëta drejt anëtarësimit në BE.

Neni 3

Në përputhje me MSA-në [Marrëveshjet e Stabilizim Asociimit] të nënshkruara nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje me njëra-tjetrën ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimet ose përdorimi i forcës.

Ato riafirmojnë paprekshmërinë tani dhe në të ardhmen e kufirit që ekziston mes tyre dhe marrin përsipër të respektojnë plotësisht integritetin territorial të njëra-tjetrës.

Neni 4

Kosova dhe Serbia vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga të dyja palët mund të përfaqësojë njëra-tjetrën në sferën ndërkombëtare dhe as të veprojë në emër të saj.

Neni 5

Kosova dhe Serbia do të promovojnë marrëdhënie paqësore në Ballkanin Perëndimor dhe do të kontribuojnë në sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal në Evropë.

Neni 6

Kosova dhe Serbia vazhdojnë me respektimin reciprok të juridiksionit të secilës palë.

Neni 7

Kosova dhe Serbia deklarojnë gatishmërinë e tyre për të rregulluar çështjet praktike dhe humanitare në procesin e normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Ato do të lidhin marrëveshje me synimin për të zhvilluar dhe promovuar në bazë të traktatit aktual dhe për përfitimin e tyre të ndërsjellë në bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit, marrëdhënieve gjyqësore, postës dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, sportit, mbrojtjes së mjedisit dhe në fusha të tjera. Detajet janë rënë dakord në protokollin plotësues.

Neni 8

Kosova dhe Serbia do të shkëmbejnë Misionet e Përhershme. Ato do të vendosen në selitë e qeverive përkatëse.

Çështjet praktike në lidhje me themelimin e misioneve do të dakordohen ndaras.

Neni 9

Kosova dhe Serbia pajtohen që ky traktat nuk do të ndikojë në traktatet dhe marrëveshjet ndërkombëtare dypalëshe dhe shumëpalëshe të nënshkruara tashmë prej tyre ose që kanë të bëjnë me to.

Në asnjërën nga këto pika nuk përmendet çështja e njohjes reciproke.