Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka bërë sërish thirrje kryeministrit Albin Kurti të pranojë kërkesën e Amerikës, QUINT-it e NATO-s për të shtyrë vendimin për targat, siç thotë deri në arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë.
Haradinaj thotë se kjo kërkesë nuk është vetëm politike por garanton sigurinë e vendit tonë e veçanërisht sigurinë e rendin në veri të vendit.
Postimi i tij:
Të nderuar qytetarë të Kosovës,
Populli i Kosovës dhe aleatët tonë të sigurisë i dijnë shumë mirë qëllimet e Serbisë, sponzorëve dhe satelitëve të saj.
Por;
Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes zyrtarëve të saj, që nga Ambasadori Hovenier e deri te Sekretari i Shtetit z.Blinken, kërkuan nga Kosova pezullimin e vendimit për targat deri në Marrëveshjen Finale;
Kësaj kërkese iu bashkuan edhe vendet e QUINT-it por edhe vendet e tjera të NATO-s, aleate tonat në siguri;
Kjo kërkesë nuk është vetëm politike por garanton sigurinë e vendit tonë e veçanërisht sigurinë e rendin në veri të vendit;
Ata që dalin jashtë kësaj kërkese nuk punojnë në interes të sigurisë së vendit tonë e as të zbatimit të ligjit.
Kurti me demagogët e vet, qoftë në qeveri e qoftë jashtë saj, nuk janë me aleatët e sigurisë dhe as nuk janë të interesuar për sigurinë e Republikës së Kosovës;
Kjo situatë është bardh e zi. Në vend që të vazhdohet me demagogji, menjëherë duhet të pranohet kërkesa e Amerikës, QUINT-it dhe aleatëve të tjerë të NATO-s për shtyrjen e vendimit për targat deri në Marrëveshjen Finale.