Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se sot me Këshillin e Përgjithshëm të Aleancës kanë riafirmuar vendosmërinë për siç u shpreh ai, mbrojtjen e interesave nacionale të Kosovës dhe orientimin proamerikan.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarët e Kosovës që jetojnë në veri të vendit, që të përmbahen dhe të rujanë qetësinë.
Gjithashtu, përmes këtij statusi është shprehur se është momenti i fundit për kryeministrin, Albin Kurti që të reflektojë dhe siç ka shkruar ai, të ndërprejë shkatërrimin e vendit, përcjell Klankosova.tv.
“Me këtë rast, ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që jetojnë në veri të vendit, të përmbahen dhe të ruajnë qetësinë, duke mos rënë pre e politikave të gabuara. Kosova është shtet i të gjithëve, e nuk është në favorin e askujt destabilizimi i situatës, përpos atyre që ndjekin agjendat ruse. Sa i përket Kurtit, janë momentet e fundit që të reflektojë dhe të ndërprejë shkatërrimin e vendit, përndryshe do të jemi të detyruar ta ndërprejmë ne, me të gjitha mjetet demokratike në dispozicion”, ka shkruar tutje ai.