Giresse: Miqësoret për t’u dhënë hapësira të rinjve, nuk e kemi lënë anash kampionatin e Kosovës

Kombëtarja e Kosovës ka nisur me përgatitjet për dy ndeshjet miqësore të këtij muaji.

“Dardanët” do të përballen me Armeninë më 16 nëntor, kurse pas tri ditësh me Ishujt Faroe.

Të dy ndeshjet do të zhvillohen në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Në prag të ndeshjes me armenët, këtë të martë në konferencë për media u paraqit Alain Giresse.

Përzgjedhësi i Kosovës tha se për këto miqësore do të kenë hapësira futbollistët e rinj.

“Për këto miqësore janë bërë afrime për t’u dhënë mundësi lojtarëve të rinj. Kjo do të jetë një mundësi për ata që t’i shohim si prezantohen në arenën ndërkombëtare. Kjo është arsyeja pse kemi grumbulluar lojtarë të rinj. Do të luajnë të gjithë, do të mundohemi t’i fusim të gjithë në lojë që të tregojnë vlerat e tyre dhe për të parë formën e tyre fillimisht në stërvitje. Ajo çfarë ka më shumë rëndësi është që lojtarët t’i tregojnë vlerat e tyre në fushën e lojës”, tha fillimisht ai.

“Ka pasur ndryshime nga lista e parë dhe kjo finale, pasi ka pasur lojtarë që nuk kanë mundur të vijnë, por mendoj që afrimi i lojtarëve të rinj u jep atyre mundësinë të tregojnë veten. Sa i përket stilit të lojës, mendoj se kjo varet nga lojtarët dhe cilësitë që kanë”, shtoi Giresse.

“Për këto dy ndeshje nuk kam më të rëndësishme eksperiencën e lojtarëve, por që lojtarët e rinj të shfaqin veten dhe të jenë një zbulim për ndeshjet e së ardhmes të Kosovës. Pra rëndësi ka zbulimi i talenteve të reja. Nuk e kemi lënë anash kampionatin e Kosovës, ka lojtar që janë ftuar nga kampionati vendas”, deklaroi përzgjedhësi i Kosovës.